Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

31-10-2018

Aktivitetet e realizuara në kuadër të trajnimit fillestar për gjyqtarët e sapo emëruar gjatë muajit tetor

Në kuadër të trajnimit fillestar për gjyqtarët e sapoemëruar, gjatë muajit tetor janë realizuar gjithsejt 21 sesione trajnuese nga modulet: Rendi juridik kombëtar dhe ndërkombëtar, Shkathtësitë personale dhe ndërdisiplinore dhe Legjislacioni dhe shkathtësitë plotësuese.

Nga nën moduli “Konventa Evropiane për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut” janë realizuar katër (4) sesione trajnuese në të cilat janë trajtuar: neni 6.1, 6.2, 6.3, 8 dhe 14 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut ku pjesëmarrësit kanë pasur mundësi të avancojnë njohuritë lidhur me zbatimin e këtyre neneve.

Në kuadër të nën modulit “E drejta e Bashkimit Evropian” janë realizuar dy (2) sesione trajnuese ku gjyqtarët e sapoemëruar kanë zhvilluar kompetencën profesionale mbi këto çështje: strukturën e Traktatit të Bashkimit Evropian, objektivat dhe vlerat e Bashkimit Evropian, njohjen me krijimin e së drejtës së BE-së, raportin e kësaj të drejtë me atë nacionale dhe ndërkombëtarë si dhe procedurat e shqyrtimit gjyqësorë.  Po ashtu në kuadër të këtij moduli është realizuar dhe një (1)  sesion trajnues nga organizimi i sistemit prokurorial, ku gjyqtarët kanë pasur mundësi të diskutojnë lidhur me strukturën dhe funksionet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe gjykatave.

Ndërsa në kuadër të nën modulit “Etikë profesionale” janë realizuar tri (3) sesione trajnuese ku është trajtuar koordinimi dhe bashkëpunimi i gjykatave me institucionet tjera dhe detyrat e funksionet e organit që zhvillon procedurën disiplinore, sjelljet e pahijshme që do të hetoj ky organ, dhe çfarë do të bëj ky organ pas parashtresës së paraqitur.

 

Në këtë periudhë raportuese nga nën moduli “Bashkëpunimi juridik ndërkombëtar” janë realizuar dy (2) sesione trajnuese ku pjesëmarrësit kanë trajtuar bashkëpunimin juridik ndërkombëtar në çështje penale dhe civile. Nga nën moduli “Arsyetimi i vendimeve gjyqësore” janë realizuar katër (4) sesione trajnuese, ku gjyqtarët e sapoemëruar kanë pasur rastin të zgjerojnë njohuritë lidhur me hartimin në mënyrë të pavarur të aktgjykimit si në aspektin formal ashtu edhe atë përmbajtjesor dhe të avancojnë njohuritë lidhur me arsyetimin e aktgjykimit në nivelin e standardeve të kërkuara nga Gjykata Evropiane për të Drejta e Njeriut.

Po ashtu nga moduli “Shkathtësitë personale dhe interdisiplinare” janë realizuar tri (3) sesione trajnuese nga nën modulet menaxhimi i stresit dhe menaxhimi i rasteve. Gjatë kësaj periudhe janë realizuar edhe dy (2) sesione nga nën moduli i ndërmjetësimit, ku kanë pjesëmarrësit pasur mundësi të avancojnë njohuritë lidhur me zbatimin e zgjidhjeve alternative të kontesteve, të diskutojnë për përparësitë dhe mangësitë e ndërmjetësimit, si dhe të zgjerojnë njohuritë rreth zbatimit të rregullave të konfidencialitetit ashtu siç është parashikuar në Ligjin për Ndërmjetësim, duke krahasuar këto me dispozitat e ngjashme të përcaktuara në Ligjin model të UNCITRAL-it dhe në Direktivën 2008/52 EC.

Në këtë periudhë raportuese gjyqtarët e sapoemëruar kanë realizuar një simulim gjykimi si dhe në kuadër të trajnimeve me institucione jo gjyqësore kanë realizuar trajnimin me Odën e Ndërmjetësuesve. Më dt. 22, 23 dhe 24 tetor, gjyqtarët e sapoemëruar i janë nënshtruar testit përfundimtar ashtu siç është paraparë me Rregulloren  e Trajnimit Fillestar. Ndërsa data 29 tetor 2018, shënon përfundimin e trajnimit fillestar për gjyqtarët e sapoemëruar - gjenerata e gjashtë.

Me vendimin e Këshillit Drejtues të AD, pesë (5) gjyqtarët e sapoemëruar të komunitetit serb nga data 25 tetor janë duke e vazhduar trajnimin fillestar deri në përfundim të programit të përcaktuar për trajnimin fillestar, pasi që ky grup i gjyqtarëve trajnimin e kanë filluar më vonë, si dhe në këtë periudhë raportuese kanë realizuar (4) sesione trajnim nga nën modulet: E drejta civile dhe Procedura Kontestimore pjesa e parë.

Shpërndaje :