Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

28-01-2019

Seminari Regjional për Sundimin e Ligjit dhe Etikën Gjyqësore

Podgoricë, 24-25 janar 2019, nën organizimin e TAIEX dhe Qendrës për Trajnimin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve të Malit të Zi, është mbajtur “Seminari Regjional për Sundimin e Ligjit dhe Etikën Gjyqësore”.

Në këtë organizim regjional, prezantuan delegacione nga shtetet e regjionit dhe atë nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Maqedonia dhe Kosova. Delegacioni kosovar u përfaqësua nga Valon Kurtaj – drejtor i Akademisë së Drejtësisë, Hilmi Bajrami – gjyqtar  në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, Mahir Tutuli – gjyqtar në Gjykatën e Apelit dhe Ardian Hajdari – prokuror në Departamentin e Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Pejë.

Dita e parë e seminarit filloi me fjalimin e znj. Senka Dailoviç – presidente e Komitetit Drejtues të seminarit dhe drejtoreshë e Qendrës për Trajnimin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Mal të Zi, e duke u pasuar nga znj. Doris Obereder – gjyqtare dhe anëtare në Këshillin Etikës Gjyqësore pranë Asociacionit të Gjyqtarëve në Austri dhe z. Zhelko Pajaliq – gjyqtar i Gjykatës Supreme të Kroacisë. Folësit në fjalimet dhe prezantimet e tyre i kushtuan një rëndësi të veçantë pavarësisë së gjyqësorit dhe etikës profesionale, duke shkëmbyer informata të rëndësishme mbi përvojat në shtetet e tyre dhe përvojat e BE-së, për pavarësinë e gjyqësorit dhe etikën profesionale.

Dita e parë përfundoi me prezantimin e znj. Maria Dimitrova, përfaqësuese e Qeverisë Bullgare në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila prezantoi eksperiencën e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës dhe praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e  Njeriut, në raport me pavarësinë gjyqësore dhe etikën profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Në ditën e dytë pjesëmarrësit u morën  me trajtimin e etikës gjyqësore dhe përgjegjësisë disiplinore me rastin e shkeljeve etike.   

Shpërndaje :