Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

22-02-2019

Krimi Kibernetik dhe Provat elektronike

Më 19-22 shkurt 2019, Akademia e Drejtësisë ne bashkëpunim me projektin  iPROCEEDS (Këshillit të Evropës), në kuadër të PTV-së ka realizuar trajnimin me temë “Krimi Kibernetik dhe Provat elektronike”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive profesionale të gjyqtarëve, prokurorëve dhe përfituesve tjerë për mënyrën dhe implikimet dëshmuese të çështjeve të krimit kibernetik dhe të kontrollit, sekuestrimit dhe konfiskimit të të ardhurave të krimit online, si dhe instrumentet e disponueshme ligjore dhe qasjet ndaj bashkëpunimit ndërkombëtar.

Me rastin e këtij trajnimi u trajtua Konventa e Budapestit për Krimin Kibernetik dhe aktet tjera ndërkombëtare duke i përfshirë edhe dispozitat ligjore të brendshme që sanksionojnë krimin kibernetikë. Vëmendje parësore iu kushtua provave elektronike dhe të ardhurat të krimit kibernetik të cilat janë komplekse. Në vazhdim u vu në pah rëndësia e bashkëpunimit të institucioneve relevante të brendshme dhe ndërkombëtare si dhe ekspertëve të fushave të përkatëse  për t’i hetuar dhe ndëshkuar këto krime të cilat çdo ditë e më tepër janë në rritje.  

Trajnimi u zhvillua në formë të diskutimeve interaktive, ku pjesëmarrësit kishin mundësinë të paraqesin sfidat dhe vështirësitë që ballafaqohen në praktikë.

Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarët, prokurorët si dhe bashkëpunëtoret profesional nga niveli themelor.

Shpërndaje :