Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

20-02-2019

E drejta për jetën – Neni 2 KEDNJ

Më 20 shkurt 2019, Akademia e Drejtësisë, në kuadër të PTV-së, organizoj trajnimin me temë: “E drejta për jetën – neni 2 i KEDNJ”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte zbatimi i drejtë i kritereve që përmbahen në dispozitat e nenit 2 të KEDNJ dhe aspektet procedurale për të drejtën e jetës.

Në pjesën e parë u zbërthyen aspektet substantivë të së drejtës për jetën, detyrimet e shtetit për mbrojtjen e individëve të cilët mbahen nën mbikëqyrjen e shtetit konform Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore (KEDNJ) si dhe interpretimet e GJEDNJ lidhur me aspektet procedurale të së drejtës për jetën.

Në pjesën e dytë u trajtuan situatat kur jeta nuk konsiderohet e privuar në kundërshtim me këtë nen, në rastet kur ky privim vjen nga përdorimi i forcës, i bërë absolutisht i domosdoshëm dhe zbatimi i drejtë i kritereve që përmbahen në dispozitat e nenit 2 të KEDNJ dhe aspektet procedurale të së drejtës për jetën.

Gjatë këtij trajnimi u vu në pah se e drejta në jetë, e mbrojtur me nenin 2 të KEDNJ, me Protokolin 6 mbi heqjen e dënimit me vdekje në kushte paqësore, me Protokolin nr.13 mbi heqjen e dënimit me vdekje në të gjitha rrethanat, është njëra ndër të drejtat themelore e garantuar me KEDNJ dhe se shkelja e saj konsiderohet si shkelje më e rëndë e Konventës.

Në vazhdim u potencua se në Republikën e Kosovës mbrojtja e kësaj të drejte bie në organet e ndjekjes penale: policisë, prokurorisë së shtetit, gjykatave të rregullta, si atyre që zhvillojnë procedurën penale në shkallë të parë, ashtu edhe atyre që vendosin për ankesat kundër aktgjykimeve të shkallës së parë ose mjeteve të jashtëzakonshme juridike të lejuara në kontekstin e çështjeve juridiko-penale.

Në vazhdim u konkludua se shteti ka si detyrim mbrojtjen e individëve të cilët mbahen nën mbikëqyrje apo nën kontroll dhe për këtë arsye këta persona janë në pozitë të ndjeshme në lidhje me shtetin. Në veçanti, kur një individë që gëzon shëndet të mirë mbahet nën kontroll nga policia dhe më pas vdes, atëherë shtetit i duhet të jap një shpjegim të qartë lidhur me rastin.

Gjithashtu u konkludua se për GJEDNJ nuk ka rëndësi nëse shkelja e Konventës është bërë nga organe me karakter legjislativ, administrativ apo gjyqësor. Për të përgjegjësia për shkeljen e Konventës ka karakterin e një përgjegjësie ndërkombëtare të shtetit, përderisa ai si subjekt i së drejtës ndërkombëtare është Palë e Lartë Kontraktuese në KEDNJ dhe në bazë të Nenit 1 të Konventës ka marrë përsipër që të garantojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

Gjatë këtij trajnimi përmes rasteve praktike dhe analizës së tyre, u zbërthyen dhe u sqaruan dispozitat e nenit 2. të KEDNJ.

Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarët dhe prokurorët e të gjitha niveleve në Republikën e Kosovës si dhe bashkëpunëtorët profesional.

Shpërndaje :