Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

25-03-2019

Kompensimi i dëmit

Më 25.03.2019 Akademia e Drejtësisë në kuadër të trajnimeve për profesionet e lira, me kërkesën e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas në mbështetje të UNDP-së ka realizuar trajnimin e radhës me temë: “Kompensimi i dëmit”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte zbatimi i drejtë i dispozitave ligjore të Ligjit për marrëdhëniet e detyrimeve dhe krijimi i praktikave më të mira në ofrimin e ndihmës juridike në rastet e kërkesave për kompensimin e dëmit.

Me rastin e këtij trajnimi u trajtuan konceptet themelore të Ligjit për marrëdhëniet e detyrimeve me fokus te shkaktimi i dëmit, shkaktimi i dëmit nga mjetet e rrezikshme, dëmi i shkaktuar nga veprimtaria e kundërligjshme, llojet e shpërblimit të dëmit, përgjegjësia juridike civile si dhe bazat e përgjegjësisë për dëmin material dhe jo material si dhe kriteret për caktimin e dëmit. Vëmendje të veçantë kishte studimi i çështjes nga ofruesit e ndihmës juridike në rastet e tilla dhe përpilimi i kërkesës për kompensim të dëmit duke përfshirë elementet që duhet të përmbajë kërkesa për kompensim. Gjatë trajnimit u diskutuan rastet më të shpeshta nga praktika gjyqësore si dhe rastet nga praktika e ANJF përmes të cilave u dhanë sqarime të nevojshme për mënyrën se si duhet vepruar që të jenë të realizueshme kërkesat për kompensim të dëmit.

 Përfitues në këtë trajnim ishin  zyrtarët e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas nga gjitha regjionet e Kosovës. Pjesëmarrës në trajnim ishin edhe përfaqësues të OJQ-ve si CRPK, CLARD, NORMA si dhe Femrat Aktive të Gjakovës.

Shpërndaje :