Më 17 prill 2019, Akademia e Drejtësisë në kuadër të (PTV), ka realizuar trajnimin me temë “Procedura në KPMSHCK dhe mbrojtja gjyqësore ne kontestet e punës ne Shërbimin Civil të Republikës se Kosovës”.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me zbatimin e drejt të legjislacionit mbi Shërbimin Civil të Kosovës dhe akteve nënligjore që rregullojnë këtë lëmi dhe zbatimin e vendimeve të Këshillit të Pavarur në procedurë gjyqësore si dhe evitimin e dilemave lidhur me dispozitat ligjore përkatëse.
Në pjesën e parë të këtij trajnimi u trajtuan: dispozitat ligjore për shërbyesit civil; procedura ligjore në KPMSHCK, përmbarimi i vendimeve të KPMK-së dhe mjetet juridike kundër këtyre vendimeve si dhe procedura në rastet e mos zbatimit të vendimeve të KPMK-së.
Në pjesën e dytë të trajnimit, u trajtuan: procedurat gjyqësore në kontestet e marrëdhënies së punës për shërbyesit civil, sipas padisë për konflikt administrativ, aktgjykimi në konfliktin administrativ dhe mjetet juridike në konfliktin administrativ si dhe raste nga praktika gjyqësore lidhur me procedurën në çështjet që lidhen me shërbyesit civil.
Fokusi në këtë trajnim ishte tek procedura që zhvillohet në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës (KPMK) dhe mbrojtja gjyqësore në kontestet nga marrëdhënia e punës me përqendrim tek Shërbimi Civil i Republikës së Kosovës kur cenohen të drejtat e shërbyesve civil. Për këtë u potencua se si në KPMK dhe në gjykata ka dilema dhe paqartësi lidhur me kompetencën për të vendosur në këto konteste. Po ashtu, ka vështirësi që kanë të bëjnë me moszbatimin e disa vendimeve të Këshillit, përmbarimin e vendimeve nga gjykatat dhe zbatimin e standardeve kushtetuese për të drejtën në punë. Me dobi në këtë trajnim ishin edhe analiza e vendimeve dhe interpretimet në këtë temë që kanë dhënë gjykatat e rregullta, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës, Gjykata Supreme dhe Gjykata Kushtetuese përmes sqarimeve të trajnuesve.
Gjatë këtij trajnimi pjesëmarrësit patën rastin që përmes rasteve nga praktika gjyqësore dhe përmes analizës së tyre të elaborojnë dispozitat ligjore që rregullojnë procedurat gjyqësore në kontestet e marrëdhënies së punës për shërbyesit civil.
Përfitues ishin gjyqtarët e departamentit administrativ të Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit, gjyqtarët e divizioneve civile të departamenteve të përgjithshme në gjykatat themelore dhe bashkëpunëtorët profesional si dhe zyrtarët e KPMK-së.
17-04-2019