Më 10 qershor 2019, Akademia e Drejtësisë, zyrtarisht ka filluar Programin e Trajnimit Fillestar, për prokurorët e sapoemëruar, duke realizuar takimin e parë me prokurorët e sapoemëruar.
Fillimisht, prokurorëve të sapoemëruar, iu drejtua Drejtori i Akademisë së Drejtësisë, z. Valon Kurtaj, i cili i uroj prokurorët e ri për emërimin e tyre, duke ju dëshiruar suksese në punën e tyre të re. z. Kurtaj i njoftoj prokurorët e ri me rolin dhe rëndësinë që ka trajnimi fillestar, për ngritjen e shkathtësive profesionale dhe praktike me qëllim të përgatitjes së tyre adekuate për të ushtruar funksionin e prokurorit.
Më tej z. Kurtaj, në pika të shkurta elaboroi strukturën e PTF-së, mënyrën e organizimit dhe realizimit të tij, si të pjesës teorike, po ashtu edhe pjesës praktike, si dhe çështje tjera që ndërlidhen me këtë program. Po ashtu, ai shprehu gatishmërinë e tij dhe të Akademisë së Drejtësisë, për mbështetje të vazhdueshme për prokurorët e sapoemëruar, në mënyrë që trajnimi fillestar të realizohet në mënyrën më të mirë.
Ndërsa, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Bahri Hyseni, shprehu mbështetjen e KPK-së në drejtim të prokurorëve të sapoemëruar, duke i inkurajuar për një përkushtim dhe angazhim maksimal gjatë trajnimit fillestar, duke potencuar rëndësinë e këtij trajnimi, në përgatitjen adekuate të tyre që të ushtrojnë në mënyrë të drejtë dhe profesionale funksionet e prokurorit.
Gjithashtu edhe Udhëheqësja e Programit të Trajnimeve Fillestare znj. Valmira Pefqeli i njoftoi në mënyrë më të hollësishme rreth progaramit të trajnimit, punëve dhe detyrave nga prokurorët, vizitat që do të realizohen në institucione jo gjyqësore, vijueshmërinë e rregullt në trajnime, si dhe çdo detaj tjetër i cili do të luaj rol në performancën e prokurorëve në trajnimin fillestar.
Trajnimin fillestar do ta ndjekin 12 prokurorë të sapoemëruar.
10-06-2019