Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

11-06-2019

Procedura dhe objekti i Konfliktit Administrativ

Më 11 qershor 2019, Akademia e Drejtësisë në kuadër të PTV-së, ka realizuar trajnimin me temë “Procedura dhe objekti i Konfliktit Administrativ”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me procedurën dhe objektin e konfliktit administrativ.

Në pjesën e parë të këtij trajnimi u trajtuan: dispozitat ligjore për procedurën në konfliktin administrativ dhe objekti i konfliktit administrativ. Në pjesën e dytë u trajtuan: procedura ligjore në Departamentin për çështje administrative të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe përmbarimi i vendimeve të këtij departamenti.

Që në fillim u potencua se konflikti administrativ lind si rrjedhojë e marrëdhënieve juridike administrative në rastin kur me aktin administrativ përfundimtar të organit shtetëror, është shkelur ligji në dëm të personit fizik apo personit juridik. Qëllimi i Ligjit  për konfliktet administrative (LKA) është sigurimi i mbrojtjes gjyqësore të të drejtave dhe interesave juridike të personave fizik, juridik dhe palëve të tjera të cilat të drejta dhe interesa janë cenuar me vendime individuale ose me veprime të organeve të administratës publike.

Me aktin administrativ përfundimtar pala e pakënaqur kundër vendimit përfundimtar, nuk mund të përdor mjete të rregullta juridike atëherë lind konflikti midis  palës dhe organit të cilin e ka nxjerr aktin administrativ përfundimtar.  Ky konflikt lind si rrjedhojë e ligjshmërisë së aktit përfundimtar me të cilin organi shtetëror vendos mbi të drejtën, detyrimin ose interesin juridik të personit fizik apo juridik.

Më tej u potencua se procedura e konfliktit administrativ është e rregulluar me Ligjin        nr.03/L-202 me të cilin rregullohen kompetenca, përbërja e gjykatës dhe rregullat e procedurës, në bazë të të cilave gjykatat kompetente  vendosin për ligjshmërinë e akteve administrative me të cilat organet kompetente të administratës publike, vendosin për të drejtat, detyrimet dhe interesat juridike të personave fizik dhe juridik dhe të palëve tjera, si dhe për ligjshmërinë e veprimeve të organeve administrative.

Në vazhdim u konkludua se konflikti administrativ mund të iniciohet vetëm kundër aktit administrativ të nxjerr në procedurën administrative në shkallë të dytë.  Konflikti administrativ mund të fillohet edhe kundër aktit administrativ të shkallës së parë, kundër të cilit në procedurën administrative, nuk është lejuar ankesa.  Gjithashtu konflikti administrativ mund të filloj edhe kur organi kompetent nuk ka nxjerrë akt përkatës administrativ sipas kërkesës ose ankesës së palës nën kushtet e parapara me LKA. 

Gjatë këtij trajnimi u përdoren metodat e shpjegimit të teorik, duke u bazuar në raste praktike  dhe duke u shoqëruar me diskutime interaktive të lehtësuara nga trajnuesit, përmes analizës dhe shtjellimeve të tematikës, me fokus në procedurën dhe objektin e konfliktit administrativ.

Përfitues ishin gjyqtarët e Departamentit për Çështje Administrative të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe të Gjykatës së Apelit.

Shpërndaje :