Më 15-18 tetor 2019, Akademia e Drejtësisë në bashkëpunim me OSBE-në ka realizuar një trajnim lidhur me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përkatësisht për Konventën Evropiane me theks të veçantë për nenin 5, 6 si dhe nenin 1 protokolli nr. 1 të kësaj konvente.
Me rastin e këtij trajnimi për një fjalë rasti iu drejtuan Kryesuesi i KGJK-së, z. Skender Çoçaj, kryetar i Gjykatës Supreme z. Enver Peci, si dhe z. Ilia Bundaleski, Drejtor i Qendrës Rajonale në Mitrovicë, Misioni i OSBE-së Të gjithë njëzëri në fjalët e tyre e konfirmuan domosdoshmërinë e trajtimit të kësaj materie me qëllim të garantimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut gjatë zhvillimit të procedurave ligjore duke potencuar edhe garantimin e tyre edhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Në ditën e parë dhe të dytë të këtij trajnimi u trajtuan neni 5 i cili ka të bëjë me të drejtën e lirisë dhe sigurisë si dhe neni 6 i kësaj konvente i cili ka të bëjë me të drejtën për gjykim të drejtë. Me rastin e trajtimit të këtyre neneve u përdoren raste të ndryshme të studimit përmes të cilave u ofruan zgjidhjet më të mira duke marrë për bazë legjislacionin vendos si dhe praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në dy ditët e fundit është trajtuar neni 1 i protokollit nr, 1 për të drejtën e pronësisë e cila po ashtu është elaboruar përmes rasteve praktike.
Me rastin e këtij trajnimi, Akademia e Drejtësisë për gjyqtarët dhe prokurorët e regjionit të Mitrovicës shpërndau Doracakun për të Drejtat e Njeriut dhe Fjalorin juridik, publikime këto që Akademia e ka botuar së fundmi për ti kontribuar zbatimit të drejtë të nocioneve dhe praktikave gjyqësore më të mira në procesin e bërjes së drejtësisë.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarët dhe prokurorët e regjionit të Mitrovicës.
18-10-2019