Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

13-11-2019

Fillimi dhe zhvillimi i procedurës së konfliktit administrativ

Më 13 nëntor 2019, Akademia e Drejtësisë me përkrahjen e GIZ-it organizoj trajnimin me temë: “Fillimi dhe zhvillimi i procedurës së konfliktit administrativ” në kuadër të PTV-së. Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me fillimin dhe zhvillimin e procedurës së konfliktit administrativ.

Në pjesën e parë të trajnimit u trajtuan dispozitat e Ligjit për procedurën e përgjithshme administrative, subjektet e procedurës administrative, akti administrativ, kontrata administrative, akti real, akti administrativ i miratuar në heshtje, procedura e mjeteve juridike ndaj aktit administrativ dhe përmbarimi i vendimeve administrative. Ndërsa në pjesën e dytë u trajtuan konflikti administrativ, palët e autorizuara për fillimin e konfliktit administrativ, zhvillimi i procedurës së konfliktit administrativ, nxjerrja e aktgjykimit në konfliktin administrativ dhe procedura sipas mjeteve juridike.

Në vazhdim lidhur me procedurën e konfliktit administrativ u veçua tematika që lidhet me mbrojtjen gjyqësore dhe adresimin e ligjshmërisë së vendimeve të organeve të administratës publike në Departamentin për Çështje Administrative të Gjykatës Themelore dhe të Gjykatës së Apelit. U potencua se në procedimin e këtyre rasteve në gjykata po paraqiten dilema të ndryshme profesionale, procedurale dhe materiale përkitazi me vendosjen e këtyre lëndëve.

Në këtë trajnim pas një debati përmbajtësor dhe shpjegimeve të trajnuesve u ofruan zgjidhje praktike të bazuara në ligj të cilat do të lehtësojnë punën e gjyqtarëve, dhe në instancë të fundit do të ndikojnë në reduktimin e përgjithshëm të numrit të lëndëve në gjykata. Po ashtu u shqyrtuan edhe sfidat praktike në këtë fushë përmes referimit në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut përfshirë dhe aspektet e avancimit të hartimit të akteve gjyqësore.

Në vazhdim u theksua se nëse gjykata konstaton se akti administrativ i kontestuar duhet të anulohet, mundet, nëse karakteri i çështjes e lejon dhe nëse të dhënat dhe faktet e administruara gjatë procedurës japin bazë të sigurt për këtë gjë, me aktgjykim të vendosë për çështjen administrative dhe kësisoj me aktgjykim e zëvendëson aktin e anuluar administrativ. Rrjedhimisht, me aktgjykim, me të cilin anulohet akti i kontestuar administrativ, gjykata do të vendosë edhe për kërkesën e paditësit për kthimin e sendit, respektivisht për kompensimin e dëmit, nëse të dhënat e procedurës japin për këtë gjë bazë të sigurt. Në të kundërtën, gjykata do ta udhëzojë paditësin që kërkesën e vet ta realizojë në procedurën kontestimore.

Ndërsa lidhur me mjetet juridike u theksua se procedura e konfliktit administrativ ashtu si edhe procedurat tjera gjyqësore parashohin dy lloje të mjeteve juridike - mjetet e rregullta dhe ato të jashtëzakonshme.

Gjatë këtij trajnimi u përdoren metodat e shpjegimit të pjesshëm teorik, duke u bazuar në raste nga praktika gjyqësore duke u shoqëruar me ushtrime, diskutime interaktive, materialit të ofruar nga trajnuesit, analizës së rasteve studimore si dhe duke zbërthyer standardet dhe kërkesat e dispozitave ligjore në fuqi që rregullojnë këtë lëmi.

Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Kosovës, gjyqtarët e Departamentit për Çështje Administrative të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Themelore, zyrtarët e MPMS, të ATK-së dhe Doganës së Kosovës.

Shpërndaje :