Akademia e Drejtësisë organizon programin praktik për kandidatet e Shkollës së Magjistraturës së Francës në institucionet gjyqësore në Kosovë
Më 07-25 shkurt 2022, Akademia e Drejtësisë në vazhdën e bashkëpunimit me Shkollën e Magjistraturës përmes Ambasadës Franceze në Kosovë, organizon programin praktik në institucionet gjyqësore në Kosovë, për dy kandidatet e Shkollës së Magjistraturës së Francës (ENM), znj. Agnès Legagne dhe znj. Julia Depetris.
Fillimisht, kandidatet u mirëpritën në takim nga Drejtori Ekzekutiv i Akademisë së Drejtësisë, z. Enver Fejzullahu dhe znj. Valmira Pefqeli, Udhëheqëse e PTF-së, ku kandidatet nga Shkolla e Magjistraturës së Francës u njoftuan me organizimin dhe sistemin e programeve të Akademisë së Drejtësisë, sistemin gjyqësor në përgjithësi në Kosovë, si dhe u udhëzuan për vazhdimin e qëndrimit të tyre në institucionet përkatëse.
Më pas, kandidatet e ENM-së vazhduan takimin me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, z. Kujtim Munishi, ku u njoftuan për së afërmi me punën në prokurori, rastet që i pranon kjo prokurori, gjithashtu Kryeprokurori Munishi shprehi gatishmërinë që të jetë institucion pritës gjatë praktikës së tyre në zyrat e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.
Ky program praktik do të zgjatë tri javë, ku kandidatet nga ENM do të kenë mundësinë që të vizitojnë dhe të shohin punën praktike të prokurorive dhe gjykatave nga të gjitha nivelet në Kosovë, si dhe do të zhvillojnë takime informuese edhe me bashkëpunëtorë vendorë dhe ndërkombëtarë të AD-së, varësisht prej temave të interesit të tyre.
Postuar më: 07-02-2022