blog-post

Postuar më: 31-01-2023

Ndjeshmëria gjinore dhe Kodin e Sjelljes në vendin e punës

Me 31 janar 2023, në mbështetje të projektit EKOJUST është realizuar trajnimi për stafin e Akademisë së Drejtësisë me temë: “Ndjeshmëria gjinore dhe Kodi i sjelljes në vendin e punës”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte ngritja e kapaciteteve të stafit për ndjeshmërinë gjinore si dhe për sjelljet në vendin e punës në pajtim me legjislacionin në fuqi.

Në pjesën e parë të trajnimit u diskutua për ndjeshmërinë gjinore, për kuptimin gjinor, kuptimin e gjinisë biologjike, rolet, stereotipet gjinore si dhe për barazinë gjinore në vendin e punës. Me rastin e trajnimit u diskutua edhe për Ligjin e Kosovës për barazi gjinore, Ligjin për mbrojtjen nga diskriminimi si dhe për standardet e BE-së sa i përket barazisë gjinore si dhe ndjeshmërisë gjinore.

Gjatë trajnimit u përdoren edhe raste hipotetike për ndjeshmërinë gjinore dhe stereotipet që ndikojnë në barazinë gjinore dhe në vendin e punës.

Në pjesën e dytë të trajnimit u diskutua për Kodin e Sjelljes, përkatësisht për elementet kryesore të tij si vlerat e punëdhënësve, sjellja e punonjësve, praktikat e brendshme dhe praktikat e jashtme duke e elaboruar edhe me raste hipotetike. Në vazhdim u trajtua edhe Ligji për Zyrtarët publik me theks te ligjshmëria, transparenca, paanësia dhe pavarësia profesionale, jo diskriminimi, shmangia e konfliktit të interesit si dhe për parimin e mundësive të barabarta. Pavarësisht parimeve mbi të cilat bazohet ky ligj u vunë në pah edhe vështirësitë ligjore në zbatim të këtij ligji meqenëse nuk janë aktet tjera përcjellëse të rregulluara.

Pjesëmarrësit gjatë trajnimit patën mundësinë e diskutimit dhe parashtrimit të pyetjeve për temat që u trajtuan duke marrë edhe përgjigjet për situatat konkrete.

Përfitues të këtij trajnimi ishin 22 pjesëmarrës nga stafi i Akademisë së Drejtësisë të cilët në fund morën certifikatat për pjesëmarrje në trajnimin përkatës.

Shpërndaje :