Programi i Trajnimit në Institucionet jo gjyqësore - vizitë e Gjyqtarëve të sapo emëruar tek Institucioni i Avokatit të Popullit
Më 13 nëntor 2023, në kuadër të trajnimit praktik me institucionet jo gjyqësore për gjyqtarët e sapo emëruar, Akademia e Drejtësisë ka realizuar vizitë në “Institucionin e Avokatit të Popullit”.
Në fjalën hyrëse avokati i popullit z. Naim Qelaj fillimisht ju uroi mirëseardhjen gjyqtarëve të sapo emëruar, duke e cilësuar të duhur qëllimin e kësaj vizite dhe njëherit e vlerësoi lartë bashkëpunimin me Akademinë e Drejtësisë, për të vazhduar më pas diskutimin lidhur me mandatin, rolin dhe kompetencat e këtij institucioni në sigurimin dhe bashkëpunimin e ndërsjellët në fushën e drejtësisë.
Përveç Avokatit Qelaj, si pjesë e panelit të diskutimeve ishin edhe z. Burim Tahiri, U.d. Drejtor i Departamentit për Çështje Juridike dhe Hulumtim ne IAP, dhe z. Basri Kastrati, Zëvendës Avokat i Popullit. Ky program ka për qëllim t’iu ofroj gjyqtarëve të sapoemëruar njohuri lidhur me procedurat e hetimit të ankesave në pretendimet e qytetarëve për shkelje të të drejtave të njeriut, e deri te përgatitja e rekomandimeve për rastet e tilla.
Gjithashtu, u trajtua puna e mekanizmit kombëtar për parandalim të torturës dhe trajtimeve e ndëshkimeve tjera mizore, jonjerëzore dhe poshtëruese. Raporte me rekomandime të dala nga trajtimi i ankesave dhe kërkesave dhe vizitave të rregullta dhe pa paralajmërim në të gjitha vendet ku mbahen personat e privuar nga liria. Po ashtu, gjyqtarët u njoftuan edhe me pranimin dhe shqyrtimin e ankesave në IAP, relacioni në mes IAP-së dhe gjyqësorit dhe procedurat e pranimit të ankesave dhe shqyrtimi i tyre nëse ankesat, kërkesat apo njoftimet e pranuara janë brenda kompetencave dhe përgjegjësive të IAP-së.
Çështje tjera që u trajtuan në këtë vizitë ishin edhe: Mandati i Avokatit të Popullit si organ i barazisë, mandati i Avokatit të Popullit si mekanizëm për parandalimin e torturës, si dhe mandati i Avokatit të Popullit në raport me gjykatat.
Përfitues të trajnimit janë Gjyqtarët e sapo emëruar të gjeneratës X.
Postuar më: 13-11-2023