28-09-2022

Raport lidhur me punëtorinë e EJTN në temën: Të Drejtat e Njeriut dhe Qasja në Drejtësi në BE

26-28 shtator 2022, nën organizimin e Rrjetit Evropian për Trajnime Gjyqësore (EJTN), përmes Akademisë së Drejtësisë së Kosovës, u realizua punëtoria “Të Drejtat e Njeriut dhe Qasja në Drejtësi në BE”, e cila u mbajt në ambientet e Këshillit e Evropës në Strasburg, Francë.

Këshilltarët juridik nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, Bardh Bokshi dhe Resmije Loshi kanë marrë pjesë dhe janë trajnuar lidhur me çështjet në vijim: (i) prezantim i karakterit të përgjithshëm të punës dhe veprimtarisë së “Rrjetit Evropian për Trajnim Gjyqësor” (EJTN); (ii) pavarësia e gjyqësorit si standard evropian; dhe, (iii) e drejta për qasje në gjykatë, me theks në jurisprudencën më të freskët të GJEDNj-së.

Këshilltarët Bardh Bokshi dhe Resmije Loshi po ashtu kanë marrë pjesë në seancën dëgjimore (chamber hearing) të zhvilluar nga Dhoma e GJEDNJ-së në përbërje nga shtatë (7) gjyqtarë, në rastin jashtëzakonisht interesant Pietrzak kundër Polonisë dhe Bychawska-Siniarska dhe të tjerët kundër Polonisë, që në thelb shqyrtonte të drejtën e shtetit polak për të përgjuar dhe kontrolluar përmbajtjen e diskutimeve profesionale ndërmjet avokatëve dhe klientëve të tyre, pra, nëse shteti polak kishte të drejtë të ndërhynte në privatësinë e ankuesve në njërën anë, ndërsa në anën tjetër, të drejtën e ankuesve për t’u ankuar kundër masave përgjuese të shtetit polak si dhe mundësinë e shikimit të materialit të regjistruar nga masat përgjuese.

Këshilltarët Bardh Bokshi dhe Resmije Loshi po ashtu kanë marrë pjesë në trajnime grupore me raste individuale lidhur me pavarësinë e gjyqësorit me ç’rast kanë dhënë kontributin e tyre për temën në fjalë bazuar në përvojën e punës në Gjykatën kushtetuese të Republikës së Kosovës, si dhe kanë mësuar dhe thelluar njohuritë e tyre edhe nga shkëmbimi i përvojave me pjesëmarrësit tjerë në punëtorinë “Të Drejtat e Njeriut dhe Qasja në Drejtësi në BE.”

Share This Artcle :