Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

18-01-2017

Shqyrtimi Fillestar, Shqyrtimi i Dytë dhe Shqyrtimi Gjyqësor

Më 18 janar 2017, Instituti Gjyqësor i Kosovës, në kuadër të Programit të Trajnimeve të Vazhdueshme (PTV), ka realizuar trajnimin me temë “Shqyrtimi Fillestar, Shqyrtimi i Dytë dhe Shqyrtimi Gjyqësor”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të pjesëmarrësve lidhur me procedurën penale që zhvillohet pas ngritjes së aktakuzës nga ana e prokurorit dhe shtjellimi i dispozitave të KPP- së të cilat rregullojnë zhvillimin e shqyrtimit fillestar, shqyrtimit të dytë dhe shqyrtimit gjyqësor në funksion të zbatimit në mënyrë efikase të procedurës në këto faza.

Në  kuadër të këtij trajnimi u trajtua shqyrtimi fillestar dhe shqyrtimi i dytë, afatet e caktimit të shqyrtimit fillestar pas pranimit të aktakuzës dhe shqyrtimit të dytë, veprimet e kryetarit të trupit gjykues apo gjyqtarit të vetëm gjykues dhe rrjedha e shqyrtimit fillestar dhe shqyrtimit të dytë, pjesëmarrësit në shqyrtimin fillestar dhe të dytë dhe veprimet mes shqyrtimit fillestar dhe shqyrtimit të dytë. Gjithashtu u elaboruan kriteret me rastin e pranimit të fajësisë, opsionet pas pranimit të fajësisë dhe rastet e veçimit të procedurës kur ka më shumë të pandehur dhe disa prej tyre e pranojnë fajësinë në shqyrtimin fillestar e disa të tjerë jo. Më tej, u diskutua për kundërshtimin e provave, përgjigja dhe vendimet në këto kundërshtime si dhe kërkesa dhe rrethanat e hudhjes së aktakuzës në këtë fazë.

Po ashtu trajnimi u fokusua edhe në trajtimin e shqyrtimit gjyqësor, si një ndër fazat më të rëndësishme të procedurës penale, fazat e shqyrtimit gjyqësor, detyrat dhe veprimet e kryetarit të trupit gjykues apo gjyqtarit të vetëm gjykues në shqyrtimin gjyqësor, si dhe ndërprerja dhe shtyrja e shqyrtimit gjyqësor. Po ashtu u elaborua administrimi i provave, marrja në pyetje e dëshmitarëve dhe të akuzuarve, si dhe afati dhe përfundimin e shqyrtimit gjyqësor.

Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë dhe prokurorë të nivelit themelor.

Shpërndaje :