Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

06-02-2017

Takimi i Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës

Më 06 shkurt 2017, është mbajtur takimi i radhës i Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës.

Temë kryesore e takimit ishte diskutimi dhe miratimi i Programit të Trajnimit Fillestar për Gjyqtarët që priten të emërohen nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, dhe çështjet tjera që lidhen me zhvillimin e aktiviteteve dhe administrimin e IGJK-së.

Një prej pikave për të cilat u diskutua ishte edhe transformimi i IGJK-së në Akademi të Drejtësisë, ku theks i veçantë iu vu ndryshimeve më kryesore të cilat janë përcaktuar me Ligjin për Akademinë e Drejtësisë, si dhe vizionit e strategjisë për zhvillimin e Akademisë. Në këtë diskutim përveç anëtarëve të Këshillit Drejtues morën pjesë edhe znj. Rosa Jansen, Drejtoreshë e Qendrës për Studime Gjyqësore të Holandës dhe z. Klaus Erdmann, Këshilltar Resident i Binjakëzimit në IGJK, të cilët në mënyrë profesionale trajtuan rëndësinë që kanë institucionet për trajnimin gjyqësor si dhe vet trajnimi në zhvillimin e gjyqësorit për secilin vend.

Ata po ashtu kërkuan që anëtarët e Këshillit Drejtues të ndajnë eksperiencën dhe rekomandimet e tyre për zhvillimin e Akademisë së Drejtësisë, e cila do t’i shërbej menaxhmentit të ardhshëm të Akademisë dhe ekspertëve të projektit të Binjakëzimit që të realizojnë me sukses procesin e transfromimit dhe zhvillimit strategjik.

Në fund të takimit kryetari i Këshillit Drejtues, z. Ymer Hoxha shpërndau mirënjohje për anëtarët e Këshillit të cilët kanë përfunduar me sukses mandatin e tyre në këtë cilësi. 

Shpërndaje :