Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

10-03-2017

Zbatimi i së Drejtës Evropiane nga ana e Gjykatave të Republikës së Kosovës

Më 10 mars 2017, Akademia e Drejtësisë, me mbështetje të UNDP,  në kuadër të trajnimeve të vazhdueshme realizoi trajnimin me temë “Zbatimi i së Drejtës Evropiane nga ana e Gjykatave të Republikës së Kosovës”.

Ky trajnim kishte për synim të kontribuoj në avancimin e shkathtësive të gjyqtarëve dhe prokurorëve për t’i identifikuar problemet, parregullsitë dhe implikimet në kuadër të këtij aktiviteti si ndikimi i së Drejtës Evropiane në gjyqësorin e Republikës së Kosovës dhe të thellojnë njohuritë rreth mekanizmave dhe Direktivave të Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Bashkimit Evropian.

Në fokus të këtij trajnimi ishte analizimi i hollësishëm i parimeve të së Drejtës së Bashkimit Evropian nga gjykatat vendore, epërsia, efekti i drejtpërdrejt dhe tërthortë  i BE-së, efekti i tërthortë i Marrëveshjes për Stabilizim Asocim (MSA), dhe efektet juridike të vendimeve të GJEDNJ në procedurën paraprake.

Po ashtu në sesionin e dytë të mesditës u shtjellua ndikimi i së drejtës së BE-së në gjyqësorin e Kosovës, pozita juridike e së Drejtës së Bashkimit Evropian në Kosovë, pozita e marrëveshjeve ndërkombëtare, raporti në mes Kushtetutës së Kosovës dhe të Drejtës së BE-së, Raporti për Kosovën i Komisionit Evropian, sundimi i ligjit dhe gjyqësia e pavarur.

Në kuadër të këtij trajnimi u zhvilluan diskutime për raste konkrete nga praktika rreth formave efikase dhe procedurave të së drejtës së Bashkimit Evropian, po ashtu pjesëmarrësit elaboruan raste praktike.

Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë dhe prokurorët të nivelit themelor.

 

Shpërndaje :