Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

22-03-2017

Mbrojtja gjyqësore në rastet e fyerjes dhe shpifjes

Më 22 mars 2017, Akademia e Drejtësisë në kuadër të Programit të Trajnimit të Vazhdueshëm ka realizuar trajnimin me temë “Mbrojtja gjyqësore në rastet e fyerjes dhe shpifjes”.

Ky trajnim kishte për qëllim që gjyqtarët të avancojnë njohuritë e tyre lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me shpifjen dhe fyerjen, nocionin e saj, përgjegjësinë deri tek kompensimi si dhe afatet dhe mbrojtjen gjyqësore.

Në pjesën e parë u trajtua nocioni i shpifjes dhe fyerjes, masat për mbrojtje nga shpifja dhe fyerja, përgjegjësia për shpifje dhe fyerje, rastet e përjashtimit nga përgjegjësia dhe kufijtë e përgjegjësisë si dhe praktika ndërkombëtare e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ).

Në pjesën e dytë, u trajtua tematika lidhur me  detyrimin për të zbutur dëmin dhe e drejta në reagim, kompensimi për shpifjen dhe fyerjen dhe afatet, mbrojtja e burimeve dhe gjykata kompetente.

Me dobi ishte edhe analiza e vendimeve dhe interpretimet në këtë temë që kanë dhënë gjykatat e rregullta të shteteve të rajonit dhe GJEDNJ, përmes sqarimeve të trajnuesve lidhur me shpifjen dhe fyerjen e ndërlidhur kjo me lirinë e shprehjes.

Ky trajnim iu dedikua gjyqtarëve të niveleve të ndryshme, duke pasur në fokus praktikën e mangët gjyqësore në çështjet e kompensimit të shkaktuar nga shpifja apo fyerja. Pjesëmarrësit patën mundësinë e marrjes së udhëzimeve të qarta për mënyrën e qasjes në praktikë të gjykimit të këtyre rasteve të cilat janë të ndjeshme në shoqërinë tonë për shkak të mentalitetit dhe mungesës së vetëdijes për lirinë e shprehjes që nuk do të thotë të flasësh, apo shkruash çka të duash, por atë që ke të drejtë.

Përfitues ishin gjyqtarët e divizioneve civile të departamenteve të përgjithshme në gjykatat themelore dhe të Gjykatës së Apelit si dhe bashkëpunëtorët profesional.

 

Shpërndaje :