Më 19, 21 si dhe 27 prill 2017, Akademia e Drejtësisë në kuadër të trajnimeve të vazhdueshme, me mbështetjen e OSBE-së ka realizuar tri trajnime regjionale të ndara me temën “Trajtimi i rasteve të Dhunës në Familje”, për regjionet e Prishtinës, Gjilanit, Pejës dhe Gjakovës.
Qëllimi i këtyre trajnimeve ishte që pjesëmarrësit ti avancojnë njohuritë në lidhje me zbatimin e drejtë të dispozitave ligjore të Ligjit për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje për trajtimin e rasteve të dhunës në familje në mënyrë sa më profesionale.
Gjatë këtyre sesioneve trajnuese në mënyrë të hollësishme nga trajnuesit u trajtua formimi i rastit në fazën e hetimeve nga policia, përfshirja e Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave, hetimet nga prokurori i shtetit si dhe faza e gjykimit.
Dilemat e paraqitura gjatë trajnimeve kishin të bëjnë me pengesat që gjyqtarët hasin gjatë shqyrtimit të rasteve që kanë të bëjnë me procedurat standarde të veprimit për mbrojtje nga dhuna në familje si dhe zbatimi i drejtë i dispozitave ligjore lidhur me procedurën dhe afatet për vendosje sipas kërkesave për urdhër mbrojtje.
Po ashtu, u diskutuan procedurat për vendosje sipas kërkesave për urdhër mbrojtje, llojet e masave mbrojtëse dhe kohëzgjatja e tyre, ekzekutimi dhe pasojat e mos ekzekutimit të urdhrit për mbrojtje.
Trajnimet kishin për synim që përmes prezantimit të rasteve nga praktika gjyqësore dhe diskutimeve grupore, të ofrohen alternativa për problemet dhe vështirësitë praktike në lidhje me trajtimin adekuat të rasteve të dhunës në familje.
Përfitues të këtyre trajnimeve ishin gjyqtarët, prokurorët, bashkëpunëtorët profesional, përfaqësuesit nga policia që merren me rastet e dhunës në familje si dhe mbrojtësit e viktimave nga regjioni i Prishtinës, Gjilanit, Pejës dhe Gjakovës
27-04-2017