Më 18 dhe 19 maj 2017, Akademia e Drejtësisë në kuadër të trajnimeve të vazhdueshme, me mbështetjen e OSBE-së ka realizuar dy trajnime regjionale të ndara me temën “Trajtimi i rasteve të Dhunës në Familje”, për regjionin e Mitrovicës dhe Prizrenit.
Qëllimi i këtyre trajnimeve ishte avancimi i njohurive të pjesëmarrësve në lidhje me dispozitat ligjore të Ligjit për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje për trajtimin e rasteve të dhunës në familje në mënyrë sa më profesionale.
Gjatë trajnimeve u elaborua mënyra e formimit të rastit në fazën e hetimeve nga policia, përfshirja e Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave, hetimet nga Prokurori i Shtetit si dhe faza e gjykimit. Më tej, dilemat rreth çështjeve për të cilat gjyqtarët kanë pengesa gjatë shqyrtimit të rasteve që kanë të bëjnë me procedurat standarde të veprimit për mbrojtje nga dhuna në familje për të zbatuar në mënyrë precize dispozitat ligjore lidhur me procedurën dhe afatet për vendosje sipas kërkesave për urdhër mbrojtje.
Gjithashtu janë diskutuar procedurat për vendosje sipas kërkesave për urdhër mbrojtje, llojet e masave mbrojtëse dhe kohëzgjatja e tyre, ekzekutimi dhe pasojat e mos ekzekutimit të urdhrit për mbrojtje.
Përmes prezantimit të rasteve nga praktika gjyqësore dhe diskutimeve grupore, pjesëmarrësve u janë ofruar alternativa për problemet dhe vështirësitë praktike në lidhje me trajtimin adekuat të rasteve të dhunës në familje.
Përfitues të këtyre trajnimeve ishin gjyqtarët, prokurorët, bashkëpunëtorët profesional, përfaqësuesit nga policia që merren me rastet e dhunës në familje si dhe mbrojtësit të viktimave nga regjioni i Mitrovicës dhe Prizrenit.
19-05-2017