Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

08-06-2017

Punëtoria: “Barazia gjinore në procedurë gjyqësore”

Më 09 Qershor 2017, Akademia e Drejtësisë në mbështetje të projektit “Reforma Ligjore dhe Administrative” të GIZ-it, realizoi punëtorinë me temë: “Barazia gjinore në procedurë gjyqësore”.

Qëllimi i kësaj punëtorie ishte diskutimi i përbashkët i nevojave të gjyqtarëve dhe prokurorëve në nivel shtetëror për ngritjen e kapaciteteve rreth trajtimit të lëndëve lidhur me barazinë gjinore.

Me rastin e kësaj punëtorie u analizuan sfidat në zbatim të legjislacionit për barazinë gjinore, të metat e sistemit, lëndët ku më së shpeshti haset diskriminimi dhe pabarazia gjinore, praktikat e vendimmarrjes në gjykata dhe prokuroritë e Kosovës si dhe specifikat e tjera të procedurës.

Pjesëmarrësit patën rastin që të punojnë në grupe dhe të identifikojnë problemet ku më së shumti cenohet barazia gjinore veçanërisht në rastet e dhunës në familje, kontestet martesore, pasurinë e përbashkët të bashkëshortëve dhe në kontestet e punës.

Nga rezultatet e punës në grupe tek rastet e dhunës në familje u parashtruan çështjet si: arsyetimi i pamjaftueshëm i vendimeve, masat për mbrojtje në shpërputhje mes veti, nevojat për trajtim me emergjencë, mbikëqyrja e zbatimit të masave dhe zbatimi në procedurë, përfaqësimi i mirëfilltë si dhe bashkëpunimi ndërinstitucional. Te kontestet martesore ndihma joadekuate e Qendrës për Punë Sociale, kushtet ekonomike, ndarjen e pasurisë së përbashkët, vlerësimi adekuat i kontributit të bashkëshortëve, dallimi i pasurisë së veçantë me atë të përbashkët, disponimi i tërë pasurisë nga ana e meshkujve dhe çështje tjera si dhe diskriminimi sipas gjinisë në kontestet e punës.

Si rezultat i problemeve të identifikuara është ngritë nevoja nga gjyqtarët dhe prokurorët për tryeza të përbashkëta me të gjithë akterët duke përfshirë mbrojtësit e viktimave, gjyqtarët, prokurorët si dhe hetuesit policor, profilizimi i profesionistëve, caktimi i gjyqtarëve për dhunë në familje, fuqizimi i ndihmës juridike falas, formimi i grupeve kontaktuese si dhe trajnime të specializuara në shkathtësitë gjykuese sipas fushave të caktuara, si dhe në arsyetimin e vendimeve.

Në vazhdim, pjesëmarrësit u pajtuan që një grup i caktuar prej gjyqtarëve, prokurorëve dhe akterë tjerë të përfshirë në këto procedura të bashkëpunojnë në drejtim të analizimit të vendimeve gjyqësore dhe konform kësaj analize të bëhet vlerësimi i nevojave se çfarë duhet të përfshijë moduli trajnues për barazinë gjinore

Pjesëmarrës në këtë punëtori ishin gjyqtarë, prokurorë, hetues policor, përfaqësues nga Institucioni i Avokatit të Popullit si dhe nga Agjencioni për Barazi Gjinore.

Shpërndaje :