Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

07-06-2017

Ceremonia e promovimit të publikimeve

Me 07 Qershor 2017, Akademia e Drejtësisë në mbështetje të projektit “Reforma Ligjore dhe Administrative” të GIZ-it, realizoi ceremoninë e promovimit të tre publikimeve ligjore: Revista Opinio Juris, Format e Shkresave në Procedurat Penale si dhe Përmbledhja e Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ligjore Ndërkombëtare.

Të pranishmëve në këtë ceremoni iu drejtuan me një fjalë rasti, Drejtuesi i Projektit të GIZ-së z. Karl Weber, u.d. Drejtori i Akademisë së Drejtësisë, z. Besim Morina, dhe Fejzullah Hasani, anëtar i Këshillit të Redaksisë së Publikimeve të Akademisë. Ndërkaq në emër të autorëve të publikimeve, z. Valon Totaj, Gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prizren, z. Besim Kelmendi, Prokuror në Prokurorinë e Shtetit si dhe znj. Remzije Istrefi, profesoreshë në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.

Drejtuesi i projektit të GIZ-së z. Karl Weber, në fjalimin e tij mes tjerash tha “Këto publikime janë rezultat i bashkëpunimit disa vjeçar me Akademinë e Drejtësisë duke shprehur falënderim të veçantë njëkohësisht edhe për autorët e këtyre publikimeve”. Njëherit, i njëjti theksoi se GIZ në kuadër të projektit për Reformen Ligjre dhe Administrative do vazhdojë edhe më tutje të përkrahë ngritjen dhe forcimin e kapaciteteve institucionale te Akademisë së Drejtësisë.

U.D Drejtori i Akademisë së Drejtësisë z. Besim Morina mes tjerash theksoj se “Akademia e Drejtësisë përveç trajnimeve në mandatin e saj ligjor ka edhe veprimtarinë kërkimore dhe botuese. Bazuar në këtë, në mbështetjen e fuqishme të GIZ-it është realizuar paraprakisht një proces i vlerësimit të nevojave të gjyqtarëve dhe prokurorëve në fushën e botimeve prej të cilës edhe kanë rezultuar këto publikime, që padyshim do të jenë mbështetje në punën profesionale të gjyqtarëve, prokurorëve dhe profesionistëve tjerë ligjor”.​

Ndërsa, z. Fejzullah Hasani, në fjalën e tij përgëzoi Akademinë e Drejtësisë dhe GIZ-in, për këto publikime, duke ditur mungesën në botime ligjore në gjuhën shqipe dhe nevojën që institucionet kompetente do të duhej t’i kushtonin me ndarjen e buxhetit për fushën e publikimeve.

Në emër të autorëve të punimeve për revistën “Opinio Juris”,  z. Valon Totaj falënderoi Akademinë për mundësinë e dhënë që rezultatet e hulumtimeve gjate punës praktike në gjykata dhe prokurori t’i shprehin përmes kësaj reviste, veçanërisht për disa tema që nuk janë trajtuar shumë nga literatura juridike dhe që kanë pasur mundësi me hap debat në këtë çështje.

Për “Përmbledhjen e formave të shkresave në procedurën penale” foli z. Besim Kelmendi i cili ishte një nga autorët e kësaj përmbledhje. Në fjalën e tij mes tjerash tha “Këto forma do të jenë në shërbim të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe se qëllimi i hartimit të këtyre formave të shkresave ka qenë lehtësimi i punës në gjyqësor duke pasur parasysh se këto forma do të jenë edhe në formatin elektronik për çka do të kontribuojnë edhe në efikasitetin e punës edhe në unifikimin e praktikës”.

Në emër të autorëve të “Përmbledhjes së Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ligjore Ndërkombëtare” foli znj. Remzije Istrefi, e cila mes tjerash theksoi se “Të drejtat e njeriut janë kategori kushtetuese e Republikës së Kosovës prandaj është pa si nevojë që të gjitha marrëveshjet dhe instrumentet ligjore ndërkombëtare në këtë fushë të përmblidhen në gjuhën shqipe në mënyrë që komuniteti ligjor, veçanërisht gjyqtarët dhe prokurorët të kenë qasje dhe të mund të bëjnë krahasime me kornizën ligjore ndërkombëtare”.

Në këtë ceremoni morën pjesë, anëtarë nga Këshilli i Redaksisë së Publikimeve të Akademisë profesor universitar, autorë të punimeve dhe përmbledhjeve, gjyqtarë, prokurorë si dhe stafi i Projektit të GIZ-it si dhe nga Akademia e Drejtësisë.

Shpërndaje :