Më 21 qershor 2017, Akademia e Drejtësisë në koordinim me Shërbimin Korrektues të Kosovës, ka realizuar trajnimin për prokurorët e sapoemëruar në Qendrën Korrektuese në Lipjan.
Qëllimi i trajnimit konsistonte në rëndësinë, që prokurorët e sapoemëruar të njohin punën dhe mandatin që ka Shërbimi Korrektues në Përgjithësi dhe Qendra Korrektuese në Lipjan në veçanti.
Fillimisht, në kuadër të kësaj vizite, Drejtori i Qendrës Korrektues në Lipjan, prezantoi një historik të shkurtër të themelimit dhe zhvillimit, rolin dhe mandatin e qendrës, strukturën e organizimit dhe funksionimit të saj si dhe kategoritë e personave që janë në mbajtje në këtë qendër korrektuese. Në këtë kuadër, Drejtori përmendi sfidat dhe vështirësitë me të cilat aktualisht ballafaqohen në përmbushje të mandatit të tyre ligjor. Pjesëmarrësit u interesuan, duke parashtruar pyetje rreth punës së Qendrës Korrektues në Lipjan dhe bashkëpunimit me institucionet e gjyqësorit.
Me tej, prokurorët e sapoemëruar, së bashku me stafin e qendrës, vizituan ambientet e institucionit, duke parë në këtë formë, për së afërmi të gjitha mjediset me të cilat disponon Qendra Korrektuese në Lipjan, kushtet dhe aktivitet që ajo ofron për personat që janë në mbajte brenda saj.
Përfitues të këtij trajnimi ishin prokurorët e sapoemëruar të gjeneratës së VI të PTF-së.
21-06-2017