Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

20-09-2017

Trajnimi praktik në Agjencinë Kosovare të Privatizimit

Më 20 shtator 2017, në kuadër të vizitave në institucionet jo-gjyqësore, Akademia e Drejtësisë në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, ka realizuar trajnimin me prokurorët e sapoemëruar në këtë institucion.

Trajnimi në AKP kishte për qëllim që prokurorët e sapoemëruar, të fitojnë njohuri të thelluara për rolin, mandatin dhe strukturën organizative të këtij institucioni.

Fillimisht, në kuadër të këtij trajnimi, u elaborua mandati, roli dhe përgjegjësia e AKP-së në proceset ligjore të privatizimit të pronës së ndërmarrjeve shoqërore, si dhe sfidat kryesore me të cilat ajo ballafaqohet aktualisht në përmbushje të mandatit dhe obligimeve të saj ligjore. Më tej u pasqyrua struktura organizative e AKP-së, përfshirë edhe zyrat regjionale, të cilat janë nën menaxhimin e saj, procesi i vendimmarrjes në AKP dhe mandati i Bordit të Drejtorëve, si instanca kryesore vendimmarrëse.  Në këtë kuadër, u trajtuan edhe komponenta e shitjes së aseteve, dhe likuidimit të ndërmarrjeve si procese operative në AKP.

Prokurorët e sapoemëruar, kishin hapësirë të mjaftueshme për të ngritur dhe diskutuar çështje me interes, të cilat u përcillen me diskutime të përbashkëta mes tyre dhe zyrtarëve të AKP-së.

Përfitues të trajnimit ishin prokurorët e sapoemëruar të gjeneratës së VI në PTF.

 

Shpërndaje :