Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

08-02-2018

Mbrojtja gjyqësore nga pengim posedimi dhe servitutet

Më 08 shkurt 2018, Akademia e Drejtësisë, në kuadër të Programit për Trajnime të Vazhdueshme, organizoi trajnimin me temë “Mbrojtja gjyqësore nga pengim posedimi dhe servitutet”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të pjesëmarrësve lidhur me mbrojtjen gjyqësore nga pengim posedimi dhe servitutet.

Në pjesën e parë të trajnimit u trajtua procedura në kontestet e pengim posedimit dhe të drejtës së servitutit si dhe elementet e aktit të pengim posedimit dhe servitutit. Ndërsa në pjesën e dytë u trajtuan afatet për mbrojtje gjyqësore në kontestet e pengim posedimit dhe te servitutet si dhe raste nga praktika gjyqësore lidhur me këto konteste. Në trajnim gjithanshëm u trajtua aspekti teorik dhe ai praktik që ka të bëjë me mbrojtjen gjyqësore nga pengim posedimi dhe servitutet.

Gjatë trajnimit u potencua se në procedurën që zhvillohet për kontestet për shkak të pengim posedimit, si procedurë e posaçme kontestimore që është rregulluar me dispozitat e Ligjit për Procedurën Kontestimore, gjykata i jep mbrojtje gjyqësore personit të cilit i është marrë sendi nga posedimi apo të cilit i shkaktohen pengesa gjatë shfrytëzimit të tij. Me dispozitat ligjore të përmendura mundësohet rivendosja e shpejtë dhe efikase e gjendjes faktike të çrregulluar, ku shqyrtimi i çështjes sipas padisë për shkak të pengim posedimit nga gjykata do të kufizohet vetëm në konstatimin dhe të provuarit e fakteve të gjendjes së fundit të posedimit dhe të pengimit të bërë.

Në trajnim u përdoren metoda të kombinuara të shpjegimit duke përfshirë shpjegime teorike dhe të përcjella me shembuj praktik.

Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarët e gjykatave themelore dhe të Gjykatës së Apelit, Departamenti i Përgjithshëm - divizioni civil, si dhe bashkëpunëtorët profesional të gjykatave.

Shpërndaje :