Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

06-03-2018

Procedura gjyqësore në bazë të kompetencave të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit

Më 06 mars 2018, Akademia e Drejtësisë në kuadër të Programit për Trajnime të Vazhdueshme, realizoi trajnimin me temë “Procedura gjyqësore në bazë të kompetencave të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte thellimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me procedurat gjyqësore që zhvillohen në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës dhe zbatimin e drejtë të dispozitave ligjore mbi kompetencën e kësaj Dhome si dhe rolin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Në trajnim dominuan temat lidhur me: kompetencën funksionale me fokus në Dhomën e Posaçme, parashtruesit dhe palët kundërshtare në Dhomën e Posaçme dhe fushëveprimi i kompetencave administrative të AKP-së. Po ashtu u trajtua edhe transformimi i ndërmarrjeve në një apo më tepër korporata dhe shitja e aksioneve. Mandati i AKP-së përfshinë çdo veprim që agjencia e konsideron të arsyeshëm dhe të duhur, brenda kufijve të burimeve administrative të Agjencisë, për të mundësuar më mirë shitjen, likuidimin, transferimin apo ndonjë zgjidhje tjetër të ndërmarrjes, asetit apo interesit në pronësi shtetërore.

Po ashtu u potencua se neni 4 i Ligjit për DHPGJS në fuqi, është ai që përcakton juridiksionin ekskluziv të Dhomës së Posaçme. Sipas kësaj dispozite DHP ka kompetencë të vendosë mbi të gjitha rastet dhe procedurat në lidhje me kundërshtimet ndaj një vendimi apo veprimi të AKM-së, tani AKP-së, apo kërkesat e palëve që pretendojnë ndonjë të drejtë, titull apo interes me të cilën administron AKP. Çështja e kompetencës mori një vëmendje të posaqme gjatë diskutimit, meqense në kohet e fundit ka pasur disa raste kur gjykata themelore ka kthyer lëndët në Dhomën e Posaçme, edhe pse kjo Dhomë më parë kishte lëshuar vendimin e saj rreth mungesës së jurisdiksionit.

Këto dhe dilema tjera të ngritura nga pjesëmarrësit u trajtuan në thellësinë e tyre përmes debatit interaktiv, pyetjeve të pjesëmarrësve dhe shpjegimeve dhe pergjigjeve të trajnuesve duke nxjerr përfundime të bazuara ligjore.

Përfitues  në këtë trajnim ishin gjyqtarë të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, gjyqtarët e gjykatave themelore-divizionit civil dhe zyrtarët e AKP-së.

Shpërndaje :