Më 15 mars 2018, Akademia e Drejtësisë, me mbështetje të UNDP-së realizoi trajnimin me temë “E drejta e BE-së në funksion të zbatimit të MSA-së”.
Ky trajnim kishte për qëllim të avancoj njohuritë e gjyqtarëve dhe prokurorëve mbi efektin e të drejtës së Bashkimit Evropian në nivel nacional dhe analizimin e aspekteve të zbatimit të kësaj të drejte para anëtarësimit në BE veçmas pas hyrjes në fuqi të MSA-së.
Në fillim u trajtua zbatimi gjyqësor i Marrëveshja për Stabilizim – Asocimin (MSA) në Republikën e Kosovës dhe ndikimin e saj në legjislacionin e brendshëm gjatë zbatimit të MSA-së. Ndërsa në vazhdim u trajtua mbrojtja gjyqësore e së drejtës kundër diskriminimit me vështrim të veçantë në KEDNJ dhe të drejtën e BE-së.
Në trajnim dominoj tematika lidhur me efektin e së drejtës evropiane pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes për Stabilizim–Asocim, vështirësitë dhe dilemat që lidhen me interpretimin e efektit të saj në nivel nacional. U potencua se Marrëveshja për Stabilizim dhe Asocim gëzon efekt direkt pas ratifikimit të Ligjit Nr. 05/L-069 për ratifikim të MSA-së ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe Komunitetit Evropian të Energjisë Atomike. Sipas MSA-së në mënyrë të qartë përcaktohet obligimi për përafrimin e legjislacionit të Kosovës me acquis communautaire.
Po ashtu fokusi u përqendrua në zbërthimin e efektit të së drejtës së BE-së pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes për Stabilizim-Asocim dhe zbatimi i parimeve të kësaj të drejte si (ai i epërsisë, efektit të drejtpërdrejt dhe të tërthortë) që lidhen me MSA-në dhe ndikimin e saj në gjyqësorin e Kosovës.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë dhe prokurorë të nivelit themelor nga regjione të ndryshme të Kosovës.
15-03-2018