Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

06-04-2018

Programi i trajnimit për prokurorët - gjenerata e gjashtë e PTF, në Akademinë e Drejtësisë së Turqisë

Në kuadër të bashkëpunimit disa vjeçar të Akademisë së Drejtësisë së Kosovës me Akademinë e Drejtësisë së Turqisë dhe me mbështetje nga Agjencia Turke për Zhvillim Ndërkombëtar (TIKA), me datë 2-6 prill 2018, u realizua programi i trajnimit “Krimi i Organizuar dhe Terrorizmi” në Akademinë e Drejtësisë të Turqisë, për gjeneratën e gjashtë të prokurorëve që sapo kanë përfunduar trajnimin fillestar në Akademinë e Drejtësisë së Kosovës.

Delegacioni i Kosovës i udhëhequr nga Drejtori Ekzekutiv i Akademisë z. Valon Kurtaj dhe në përbërje prej stafit të Akademisë, Drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial dhe zyrtarëve tjerë nga KPK, si dhe prokurorëve, përveç trajnimit kishin rastin të vizitonin institucionet gjyqësore të Turqisë, të cilat kishin për qëllim shkëmbimin e përvojave në aspekte të ndryshme duke përfshirë edhe temën që aktualisht është shqetësim global – Krimi i Organizuar dhe Terrorizmi.

Delegacioni filloi me pritje dhe trajnime të cilat u mbajtën në Akademinë e Drejtësisë së Turqisë, në të cilat u pasqyrua struktura organizative, njësitë dhe objektet, kapaciteti i resurseve njerëzore dhe financiare, trajnimi fillestar në Turqi, mënyra dhe kërkesat për tu zgjedhur në profesion dhe të ngjashme.

Ditëve në vijim u vazhdua me trajnime nga fusha e luftimit të terrorizmit, gjithmonë duke tërhequr paralele dhe bërë krahasime mes sistemeve të së drejtës në fushën penale, me të cilat rregullohet e gjithë procedura për luftimin e kësaj dukurie.
Gjatë këtij programi, vizita zyrtare u realizuan në Prokurorinë e Përgjithshme, ku u pritën nga Kryeprokurori z. Mehmet Akarça, në Ministrinë e Drejtësisë së Turqisë të pritur nga nënsekretari i Ministrit të Drejtësisë – z. Musa Heybet, dhe në Gjykatën e Kasacionit ku Sekretari i përgjithshëm z. Yusuf Ziaedin i prezantoi delegacionit të dhëna për sistemin e gjykatave në Turqi.

Shpërndaje :