Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

11-04-2018

Sistemi gjyqësor i Republikës së Kosovës – struktura dhe kompetencat

Më 11 prill 2018, Akademia e Drejtësisë, me mbështetje të GIZ-it,  në kuadër të PTV-së realizoi  trajnimin me temë “Sistemi gjyqësor i Republikës së Kosovës – struktura dhe kompetencat”.

Ky trajnim kishte për qëllim të avancoj njohuritë e stafit administrativ të gjykatave për kompetencat, strukturën organizative, mandatin dhe kornizën ligjore të sistemit gjyqësor në Republikën e Kosovës dhe kompetencat e sistemit gjyqësor. Në kuadër të këtij trajnimi u shtjelluan edhe zhvillimet aktuale rreth punës së Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK-së), aktet normative kryesore, dhe politikat e ndryshme për administrimin e sistemit dhe vendimet më të rëndësishme të tij.

Në trajnim u potencua se me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të Ligjit për KGJK-në, si dhe të Ligjit për Gjykatat, u vunë themelet e një strukture të re organizative të gjyqësorit, si dhe u vendosën premisat mbi të cilat ndërtohet një gjyqësor i pavarur i cili administrohet nga vetë profesionistët e gjyqësorit.

Po ashtu  fokusi u përqendrua në zbërthimin e kompetencave të Këshillit Gjyqësor të Kosovës që janë paraparë me Kushtetutë dhe Ligjin për KGJK-në, në bazë të të cilave Këshilli ka rolin kryesor për sigurimin e pavarësisë dhe paanësisë së sistemit gjyqësor.

Tematikë me rëndësi ishte edhe emërimi i gjyqtarëve dhe kushtet që duhet të plotësojnë ata për emërim.

Përfitues të këtij trajnimi ishin stafi administrativ i gjykatave nga të gjitha nivelet dhe stafi i KGJK-së.

Shpërndaje :