Më 17 maj 2018, Akademia e Drejtësisë, në mbështetje të GIZ, në kuadër të Programit për Trajnime të Vazhdueshme ka realizuar trajnimin me temë “Sekuestrimi dhe konfiskimi”.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve pjesëmarrës në zbatimin e drejtë të dispozitave ligjore me te cilat janë sanksionuar veprat penale që ndërlidhen me krimin e organizuar, korrupsionin, si dhe problemet të cilat paraqiten në praktikë me qëllim që të zbatohen në mënyrë unike dispozitat ligjore në fuqi.
Gjatë këtij trajnimi u trajtua rëndësia e sekuestrimit dhe konfiskimit të aseteve si provë, si mjet me të cilin është kryer vepra penale apo si dobi pasurore e fituar me vepër penale. Vëmendje iu kushtua masave që mund të propozohen për sigurimin e pasurisë dhe cilat janë masat e përkohshme për sigurimin e pasurisë, për të cilin prokurori i shtetit ka prova të artikulueshme që tregojnë dyshim të bazuar se është përdorur në veprën penale nën hetim, është provë e veprës penale nën hetim, ose është fituar nga vepra penale nën hetim.
Paraprakisht përmes shembujve u analizuan metodat për identifikimin e aseteve dhe procesi i sekuestrimit dhe konfiskimit të aseteve të fituara me vepër penale.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë dhe prokurorë të nivelit themelor nga regjione të ndryshme të Kosovës.
17-05-2018