Më 31 maj 2018, Akademia e Drejtësisë, në kuadër të Programit për Trajnime të Vazhdueshme, organizoj trajnimin me temë “Kontrata e ndërtimit”.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me kontratën e ndërtimit.
Në pjesën e parë të trajnimit u trajtuan karakteristikat e kontratës së ndërtimit dhe specifikat e tyre; kushtet e përgjithshme-kushtet e veçanta të kontratës dhe klauzola “çelësi në dorë”. Ndërsa në pjesën e dytë u vazhdua me trajtimin e ndryshimeve të çmimeve për shkak të ndryshimeve në treg; procedurat ligjore në mbrojtjen e të drejtave të palëve afariste, në kontestet që rrjedhin nga mos përmbushja e këtyre kontratave, dhe mënyrat si dhe kriteret e vlerësimit të elementeve specifike në rast të pretendimeve për mos përmbushje apo kontestimin e vlefshmërisë së tyre.
Në trajnim u potencua se kontrata për ndërtimin sipas natyrës juridike është një lloj i veçantë i kontratës. Sa i përket përgjegjësisë për mungesat në ndërtim, përshtatshmërisht zbatohen rregullat ligjore mbi kontratën për veprën. Kontrata për veprën është kontratë themelore, ndërsa kontrata për ndërtimin konsiderohet kontratë derivative.
Ndërsa për formën me shkrim të kontratës për ndërtimin u theksua se ka efekt konstituiv, meqenëse është kusht i vlefshmërisë së kontratës. Përveç pasojave juridike, mosrespektimi i formës me shkrim tërheq pasoja ndëshkuese. Kjo do të paraqiste kundërvajtje ekonomike – delikt ekonomik, i cili është i sanksionuar me dënim me të holla – gjobë. Në vazhdim u potencua se kontratat mbi ndërtimin dhe kontratat e inxhinjeringut, aktualisht kanë gjetur përdorim shumë të madh në fushën e ndërtimit duke pasur parasysh fazën e rindërtimit të vendit.
Gjithashtu në trajnim u potencua se këto kontrata kanë specifika të veçanta dhe kërkojnë njohuri të veçanta me rastin e zbatimit dhe interpretimit të dispozitave kontraktuese andaj kërkohen njohuri të posaçme, jo vetëm juridike por edhe nga fushat që mbulojnë këto kontrata, për zgjidhjen e kontesteve që lindin nga raporti afarist i krijuar përmes këtyre kontratave.
Në vazhdim u veçua konstatimi se në praktikën gjyqësore, numri i kontesteve që rrjedhin nga këto kontrata është i konsiderueshëm, me tendencë të rritjes, prandaj trajtimi i kësaj teme është e një rëndësie të veçantë për të avancuar njohuritë e gjyqtarëve në trajtimin e këtyre rasteve.
Gjatë trajnimit pjesëmarrësit së bashku me trajnuesit morën pjesë në një debat të frytshëm dhe interaktiv lidhur me pyetjet dhe paqartësitë e ngritura përmes analizës së dispozitave ligjore dhe mënyrave si duhet zbatuar drejtë ato në praktikë, gjithashtu u përdoren edhe metoda e shpjegimit të pjesshëm teorike dhe raste nga praktika gjyqësore.
Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarët e gjykatave themelore - departamentet e përgjithshme- divizionet civile dhe bashkëpunëtorët profesional.
01-06-2018