Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

03-07-2018

Mjetet e rregullta dhe të jashtëzakonshme juridike sipas LPK-së

Më 03 korrik 2018, Akademia e Drejtësisë në kuadër të Programit të Trajnimit të Vazhdueshëm, organizoj trajnimin me temë: “Mjetet e rregullta dhe të jashtëzakonshme juridike sipas LPK-së”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me mjetet e rregullta dhe të jashtëzakonshme juridike.

Në pjesën e parë të trajnimit u trajtuan: ankesa, revizioni dhe propozimi për përsëritje të procedurës. Ndërsa në pjesën e dytë u trajtua raporti në mes revizionit dhe propozimit për përsëritjen e procedurës dhe kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë.

Në vazhdim të trajnimit u potencua se me rastin e vendimmarrjes nga ana e gjykatave të instancës më të ulët, jo rrallë ndodhë që të bëhen gabime në aspektin formal dhe material, të cilat mund të kenë ndikim në garantimin e ligjshëm të të drejtave të palëve në procedurën kontestimore. Andaj e drejta e goditjes së vendimeve është një e drejtë elementare e cila garantohet edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës por edhe me Ligjin për Procedurën Kontestimore. Kushtetuta e Republikës së Kosovës në nenin 32 të saj garanton të drejtën për mjetin juridik duke përcaktuar se: “Secili person ka të drejtë të përdorë mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative të cilat cenojnë të drejtë ose interesat e tij në mënyrën e përcaktuar me ligj”.

Gjithashtu në këtë trajnim u potencua se sa i përket gjerësisë së rishikimit që duhet të bëhet nga gjykata më e lartë, është standard themelor që rishikimi gjyqësor nga një gjykatë më e lartë të përfshijë si kontrollin e të drejtave procedurale ashtu edhe kontrollin e meritës së rastit, duke mundësuar që një gjykatë më e lartë të bëjë rishikimin si formal ashtu edhe substancial të rastit të gjykuar në shkallë të parë.

Në vazhdim u veçua mendimi se qëllimi kryesor i të gjitha mjeteve të jashtëzakonshme  juridike, është sigurimi i realizimit të ligjshmërisë së proceseve gjyqësore nga të cilat rezultojnë vendime të cilat paraqesin zgjidhje të ligjshme dhe të drejta të çështjeve konkrete dhe ashtu përmes mjeteve të jashtëzakonshme juridike, sigurohet në shkallë të fundit gjyqësore edhe kontrollimi i ligjshmërisë së këtyre vendimeve me të cilat vendoset për të drejtat subjektive dhe interesat e palëve në kontest civil, në njërën anë, dhe në anën tjetër me nxjerrjen e vendimeve sipas këtyre mjeteve të jashtëzakonshme juridike ndikohet në unifikimin e praktikës gjyqësore në gjykatat e shkallës më të ultë, dhe në sigurimin e zbatimit të ligjit.

Gjatë trajnimit pjesëmarrësit patën mundësi që përmes materialit të ofruar nga trajnuesit, diskutimeve, analizës së rasteve studimore, t’i zbërthejnë drejtë dispozitat e Ligjit për Procedurën Kontestimore. Gjithashtu u përdoren edhe metoda e shpjegimit të pjesshëm teorik dhe raste nga praktika gjyqësore dhe mënyra të vendosjes meritore në raste konkrete.

Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarët të nivelit themelor nga departamentet e përgjithshme- divizionet civile.

Shpërndaje :