Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

12-02-2019

Kontratat në ekonomi

Më 11 dhe 12 shkurt 2019, Akademia e Drejtësisë në kuadër të PTV-së organizoj trajnimin me temë: “Kontratat në ekonomi”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me kontratat në ekonomi dhe zbatimi i drejtë i dispozitave ligjore të LDM-së si dhe Konventës për Shitjen Ndërkombëtare të mallrave.

Në ditën e parë u trajtuan kontrata e franshizës, kontrata e asignacionit dhe kontrata lizingut dhe karakteristikat e tyre. Ndërsa në pjesën e dytë u trajtuan kontrata për shitje ndërkombëtare të mallrave, kontrata mbi kredinë, kontrata për licencën dhe kontratat tjera publike, llojet e tyre dhe karakteristikat tjera.

Me rastin e këtij trajnimi u potencua se në ekomonine e tregut bizneset e zhvilluara të cilat merren me veprimtari specifike, përdorin kontrata që janë specifike për afarzimin e tyre, e të cilat dallojnë si për nga struktura ashtu edhe nga të drejtat dhe detyrimet që krijojnë për palët. Kontratat specifike që përdoren në afarizëm, punët bankare dhe siguruese kanë gjetur përdorim shumë të madh në fushën e afarizmit duke pasur parasysh hapjen e tregut.

Më tej u potencua se shoqëritë tregtare gjatë zhvillimit të biznesit në sferën ndërkombëtare shpesh aplikojnë kontratat për të cilat zbatohet Konventa për shitje ndërkombëtare të mallrave. Lidhur me këtë në praktikën gjyqësore numri i kontesteve që rrjedhin nga këto kontrata është i konsiderueshëm, me tendencë të rritjes dhe trajtimi i kësaj tematike është i një rëndësie të veçantë për avancimin e njohurive të gjyqtarëve në trajtimin e këtyre rasteve.

Në vazhdim u veçua se në sistemin juridik tregtar të vendit tonë raportet kontraktuese janë të rregulluara me LMD-në si ligj bazik. Dispozitat e LMD-së, që kanë të bëjnë me kontratat, zbatohen si tek raportet juridike-kontraktuese  në mes të personave fizik ashtu edhe tek raportet juridike kontraktuese në mes të shoqërive tregtare dhe personave të tjerë juridik. Meqenëse në qarkullimin e mallrave dhe shërbimeve shpesh njëra nga palët nuk është kompani vendore dhe transaksionet marrin karakter ndërkombëtar, sipas LMD-së, zbatohet Konventa për Shitjen Ndërkombëtare të Mallrave – CISG, e cila zbatohet drejtpërsëdrejti në Republikën e Kosovës.

Vëmendje të veçantë gjatë zhvillimit të negociatave e veçanërisht gjatë ndërprerjes së tyre iu kushtua edhe parimeve të së drejtës së detyrimeve siç janë: parimi i ndershmërisë dhe ndërgjeshmërisë dhe parimi i ndalimit të shkaktimit të dëmit tjetrit, parime këto që përmbahen në LMD.

Më tej u konkludua se afarizmi bankar është veprimtari e veçantë ekonomike, objekt themelor i së cilit është qarkullimi i parasë, por ai përmban edhe disa transaksione dhe produkte tjera financiare. Në përgjithësi, bankat dhe institucionet financiare lehtësojnë veprimet afariste dhe  shpeshherë ndodh që bankat specializohen në çështje specifike financiare që kërkohen nga tregu.

Gjatë këtij trajnimi pjesëmarrësit patën rastin që përmes rasteve nga praktika gjyqësore dhe analizës së tyre ti zbërthejnë dhe sqarojnë dispozitat e LMD-së dhe ligjeve tjera në fuqi që rregullojnë këtë lëmi.

Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarët nga Departamenti për Çështje Ekonomike,  Departamentit për Çështje Administrative të Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit, si dhe gjyqtarët e gjykatave themelore të divizioneve civile nga departamentet e përgjithshme dhe bashkëpunëtorët profesional.

Shpërndaje :