Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

14-02-2019

Ndjeshmëria gjinore në të drejtat pronësore

Më 05, 06 dhe 14 shkurt 2019, Akademia e Drejtësisë në kuadër të PTV-së me mbështetjen e USAID-it - ”Programi i të Drejtave Pronësore – Property Rihgts Programe”  në Gjilan, Mitrovicë dhe Pejë organizoj trajnimin me temë: “E Drejta në Pronë: Jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut” në kuadër të PTV-së.

Qëllimi i këtyre trajnimeve ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me çështjet e ndjeshme gjinore në të drejtat pronësore veçanërisht i faktorëve social, kulturorë dhe tradicional që pengojnë gratë në Kosovë për të ushtruar lirshëm dhe në mënyrë efektive të drejtat e tyre pronësore si dhe identifikimi efikas i këtyre faktorëve në praktikë dhe pengimi i padrejtësive eventuale në procedurë.

Në pjesën e parë u bë prezantimi i një pasqyre të situatës aktuale rreth çështjeve gjinore në të drejtat pronësore, procesi i socializmit, rolet dhe stereotipet gjinore. Ndërsa në pjesën e dytë u trajtuan praktikat dhe gjuha e ndjeshme gjinore.

Gjatë trajnimit u vu në pah se burrat dhe gratë në Kosovë nuk janë të barabartë, në këtë kontekst informatat dhe të dhënat e mbledhura nga agjencionet e statistikave, institucionet dhe OJQ-të në Kosovë tregojnë që kjo pabarazi vazhdon të jetë e përhapur në çdo sektorë. Një hulumtim i realizuar nga Programi i USAID-it për të drejtat Pronësore në vitin 2017 tregoi se afërsisht 20 % e grave në Kosovë kanë prona në emrin e tyre, nga kjo vetëm 7.8 % është pronë e trashëguar nga familjet e tyre të lindjes. Në vazhdim u konkludua se një qasje e ndjeshme gjinore nga gjyqtarët është shumë me rëndësi. Përmes kësaj qasjeje merren në konsideratë nevojat specifike të grave dhe burrave. Për të përdorur qasje të ndjeshme gjinore duhet të kemi vëmendjen tek rolet dhe përgjegjësit e ndryshme që kanë gratë dhe burrat varësisht prej kontekstit në të cilin jetojmë.

Gjithashtu u konkludua se koncepti i senzibilitetit gjinor është zhvilluar në mënyrë që të zvogëlojë barrierat të krijuara nga pabarazia gjinore. Ky koncept u mundëson grave dhe burrave të zhvillohen në aspekt personal dhe profesional.

Gjatë këtij trajnimi u përdoren metodat e shpjegimit të pjesshëm teorik, duke u bazuar në raste nga praktika dhe duke u shoqëruar me diskutime interaktive të lehtësuara nga ekspertët, përmes materialit të ofruar, analizës së rasteve hipotetike që ngërthenin për diskutim praktikat kulturore e sjelljet shoqërore, si dhe ndërlidhjet e tyre të mundshme në vendosjen e rasteve të ushtrimit të së drejtës pronësore të grave dhe vajzave në Kosovë.

Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarët dhe bashkëpunëtorët profesional të Gjykatës Themelore në Gjilan, Ferizaj, Mitrovicë, Pejë, Prizren dhe Gjakovë.


 

 

 

 

 

 

 

Shpërndaje :