Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

26-02-2019

Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve në rastet e ndryshimit të statusit të tyre

Më 25-26 shkurt 2019,  Akademia e Drejtësisë, në kuadër të PTV-së  në bashkëpunim me UNICEF ka realizuar trajnim dy ditor me temë Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve në rastet e ndryshimit të statusit të tyre”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte thellimi i njohurive të gjyqtarëve dhe prokurorëve  lidhur me rëndësinë e zbatimit gjyqësor për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në procedurën e kundërshtimit dhe vërtetimit të atësisë apo amësisë,  mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në rastet e dhunës në familje, parimi i interesit më të lartë të fëmijës, mënyrat dhe metodat e komunikimit të gjykatës me fëmijët në procedurë gjyqësore.

Trajnimi u fokusua në trajtimin e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve sipas legjislacionit pozitiv në Kosovë, në mënyrë specifike sipas Ligjit për Familjen por edhe të akteve tjera normative të rëndësishme. Po ashtu krahasimi me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve posaçërisht me Konventën për të Drejtat e Fëmijëve në drejtim të krijimit të praktikave efikase në bazë të cilave duhet të jepet vlerësimi dhe vendimi profesional i mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve në kontestet martesore.

Më tej, u elaborua mbrojtja e të drejtave të fëmijëve gjatë procedurës së shkurorëzimit, kriteret që merr për bazë gjykata në rastet e besimit të fëmijës, ruajtjes dhe kujdesit ndaj fëmijëve si dhe roli i Organit të Kujdestarisë në procedurën e besimit të fëmijës. Po ashtu u shtjellua çështja e alimentacionit, vendosja e kontakteve të fëmijëve me prindërit dhe vendosja e gjykatës për këto raste në mënyrë ex officio.

Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë, prokurorë si dhe bashkëpunëtorët profesional.

Shpërndaje :