Më 11 mars 2019, Akademia e Drejtësisë, pas dekretimit të gjyqtarëve dhe kërkesës së KGJK-së, ka filluar zbatimin e Programit të Trajnimit Fillestar, duke realizuar në këtë formë takimin e parë me gjyqtarët e sapoemëruar.
Në fjalën hyrëse Drejtori Ekzekutiv i Akademisë së Drejtësisë, z. Valon Kurtaj, fillimisht i uroi gjyqtarët për emërimin e tyre, dhe i njoftoj ata me rolin dhe rëndësinë që ka trajnimi fillestar, për përgatitjen e tyre të mëtejme profesionale. Gjyqtarët e sapo emëruar u njoftuan rreth strukturës se trajnimit dhe mënyrës së realizimit e në veçanti u theksua rëndësia e bashkëpunimit të ndërsjellët gjatë këtij rrugëtimi një vjeçar.
Ndërsa, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Skender Çoçaj, shprehu mbështetjen e KGJK-së, si dhe i inkurajoi gjyqtarët e sapo emëruar për një përkushtim dhe angazhim maksimal gjatë trajnimit fillestar, duke potencuar rëndësinë e këtij trajnimi, në përgatitjen adekuate të tyre që të ushtrojnë në mënyrë të drejtë dhe profesionale funksionin e gjyqtarit. Po ashtu z. Çoçaj ofroi mbështetje edhe për Akademinë e Drejtësisë, në drejtim të realizimit të suksesshëm të trajnimit fillestar për gjyqtarët e sapo emëruar.
Gjyqtarët e sapoemëruar, janë pajisur me dokumente që hynë në kuadër të PTF-së, siç janë: Rregullorja për Programin e Trajnimit Fillestar, Programi i Trajnimit Fillestar si dhe Kalendari trajnues për muajin mars 2019.
Trajnimin fillestar (2019/2020) do ta ndjekin 37 gjyqtarë të sapo emëruar ku prej tyre shtatë janë nga komunitetit serb.
11-03-2019