Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

26-06-2019

E drejta për një proces të rregullt gjyqësor– Neni 6 i KEDNJ

Më 26 qershor 2019, Akademia e Drejtësisë në kuadër të PTV-së, ka realizuar trajnimin me temë “E drejta për një proces të rregullt gjyqësor– neni 6 i KEDNJ”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me rolin, kërkesat dhe detyrimet nga neni 6 i Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore (KEDNJ) - e drejta për një proces të rregullt ligjor.

Në pjesën e parë të këtij trajnimi u trajtuan: Nocionet dhe kategoritë që përmban neni 6 i KEDNJ, mbrojtjet procedurale sipas dispozitave të këtij neni të KEDNJ. Në pjesën e dytë u trajtuan: pavarësia dhe paanshmëria e gjykatave në kontekst të këtij neni dhe standardet dhe kërkesat që përmban neni 6 i KEDNJ.

Në këtë trajnim u potencua se GJEDNJ e ka interpretuar në mënyrë të zgjeruar këtë nen me arsyetimin se interpretimi i zgjeruari  i nenit 6 është me rëndësi themelore për funksionimin e demokracisë. Në rastin Delcourt kundër Belgjikës, gjykata deklaroi se:në një shoqëri demokratike brenda kuptimit të Konventës, e drejta për një ushtrim të rregullt të drejtësisë, zë një vend kaq të rëndësishëm, sa që një interpretim i kufizuar i nenit 6 par.1 nuk do t’i korrespondonte synimet dhe qëllimit të asaj dispozite”.

Gjithashtu u konkludua se kërkesat dhe garancitë e parapara me nenin 6 të Konventës, paraqesin detyrë për çdo gjyqtar dhe prokurorë të sigurojë, respektimin e tyre gjatë gjithë procesit gjyqësor, dhe jo vetëm gjatë këtij procesi gjyqësor, por edhe në të gjitha fazat që e paraprinë dhe e pasojnë atë. Neni 6 deklaron të drejtën e secilit për një seancë të drejtë gjyqësore, duke përfshirë të drejtën e tij për qasje në gjykatë, për një seancë në prezencën e të akuzuarit, një të drejtë për mos-vet inkriminim, barazia në mjete, e drejta për seancë gjyqësore me palë kundërshtuese, dhe një gjykim i arsyeshëm. Të gjitha këto janë parime, të drejta dhe detyra të gjykatësit të sigurojë për një palë në një proces gjyqësor.

Sipas interpretimit të GJEDNJ çdo gjykatë duhet të veprojë në mënyrë të tillë që në dhënien e drejtësisë të shfaqë paanësinë e saj. Vihet theksi mbi këtë pikë sepse paanësia e gjyqtarit është një karakteristikë mjaft e rëndësishme e procesit të rregullt gjyqësor e cila gjendet e bazuar qoftë në ligje kombëtare, ashtu dhe ato ndërkombëtare. Përveç paanësisë element i rëndësishëm që lidhet ngushtë me të është edhe pavarësia e gjyqtarit në procesin gjyqësor.

Me rastin e këtij trajnimi pjesëmarrësit patën rastin që përmes detyrave të ndara në grupe të  zbërthejnë praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së me fokus në zbatimin e drejtë  të një procesi të rregullt ligjor konform KEDNJ-së.

Përfituesit: gjyqtarët dhe prokurorët e të gjitha niveleve në Republikën e Kosovës dhe bashkëpunëtorët profesional.

Shpërndaje :