Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

03-06-2019

Shpronësimi dhe caktimi i kompensimit

Më 03 qershor 2019, Akademia e Drejtësisë organizoj trajnimin me temë: “Shpronësimi dhe caktimi i kompensimit” në kuadër të PTV-së. Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me procedurën e shpronësimit, identifikimin e kushteve paraprake për shpronësim dhe kritereve të cilat zbatohen për shpronësim.

Në pjesën e parë të trajnimit u trajtuan: Kushtet ligjore për shpronësim; procedura e shpronësimit në rastet kur organ shpronësues është Qeveria apo Komuna; vendimi preliminar dhe përfundimtar për shpronësim si dhe mjetet juridike. Në pjesën e dytë u trajtuan mënyrat dhe kriteret për caktimin e kompensimit në rastet e shpronësimit.

Që në fillim u potencua se instituti juridik i shpronësimit lejon mundësinë që pronari të mund të zhvishet nga e drejta e pronësisë vetëm nën kushtet e parapara me ligj me kusht që shpronësimi të bëhet për qëllim të interesit të përgjithshëm. Meqenëse shpronësimi në praktikë paraqitet shumë shpesh, zbatimi i rregullt i dispozitave të Ligjit për Shpronësimin garanton të drejtën pronësore të pronarëve, prona e të cilëve shpronësohet për interes të përgjithshëm publik. Andaj, njohuritë e fituara dhe zbërthimi i këtij institut juridik, do t’i kontribuoj edhe unifikimit të praktikës gjyqësore në Republikën e Kosovës.

Në vazhdim u theksua se shpronësimi i pronës së paluajtshme në mënyrë specifike është i rregulluar me Ligjin nr. 03/L-139 për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme, i shpallur më 23.04.2009. Prona private është kategori e garantuar dhe e mbrojtur me akte ndërkombëtare, të cilat garantojnë se prona private është e pacenueshme dhe mund të kufizohet vetëm për interes publik dhe nën kushtet e përcaktuara me Ligj. Një ashtu edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës parashihet mbrojtja e saj nga çdo ndërhyrje arbitrare dhe se askush nuk do të privohet në mënyrë arbitrare nga prona. Republika e Kosovës ose autoriteti publik i Republikës së Kosovës, mund ta bëjë eksproprijimin e pronës, nëse ky eksproprijim është i autorizuar me Ligj, është i nevojshëm ose i përshtatshëm për arritjen e qëllimit publik dhe pasohet me sigurimin e kompensimit të menjëhershëm dhe adekuat për personin apo për personat prona e së cilëve u është eksproprijuar.

Më tej u konkludua se konform LPJK-së, në procedurën për caktimin e lartësisë së kompensimit për paluajtshmërinë e eksproprijuar gjykata e cakton lartësinë e shpërblimit për paluajtshmërinë e eksproprijuar kur shfrytëzuesi i eksproprijimit dhe pronari i mëparshëm para organit kompetent të administratës nuk kanë arritur marrëveshje për kompensim për paluajtshmërinë e eksproprijuar.

Gjatë këtij trajnimi u përdoren metodat e shpjegimit të pjesshëm teorik, duke u bazuar në raste nga praktika gjyqësore duke u shoqëruar me ushtrime, diskutime interaktive, materialit të ofruar nga trajnuesit, analizës së rasteve studimore si dhe duke zbërthyer dispozitat ligjore në fuqi që rregullojnë këtë lëmi.

Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarët e gjykatave themelore, gjyqtarët e Gjykatës së Apelit, bashkëpunëtorët profesional në gjykata si dhe zyrtarët e Ministrisë së Financave që merren me procedurat e kompensimit pranë organit shpronësues.

Shpërndaje :