Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

17-07-2019

Program i Specializuar Trajnimi për zhvillimin e kapaciteteve në luftën kundër krimit kibernetik - Sesioni 1

Më 16-17 Korrik 2019, Akademia e Drejtësisë në bashkëpunim me UNDP, në  kuadër të Programit për Trajnime të Vazhdueshme, organizoi sesionin e parë të trajnimit të specializuar për zhvillimin e kapaciteteve në luftën kundër krimit kibernetik.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve, rreth natyrës dhe formave të krimit kibernetik si dhe veprat penale që janë të ndërlidhura me krimin kibernetik.

Sesion i parë i trajnimit ka filluar me njoftimin e pjesëmarrësve lidhur me broshurën që është duke u përgatitur në bashkëpunim me UNDP lidhur me luftimin e krimit kibernetik, për të vazhduar tutje me infrastrukturën ligjore dhe institucionet përkatëse që mund të ndihmojnë në luftimin e kësaj dukurie, qoftë në nivel vendor si Këshilli Kombëtar në kuadër të MPB-së kundër Krimit Kibernetik, i cili ka hartuar Strategji për 2016-2019, mandej Forenzika Kibernetike në kuadër të Policisë së Kosovës, si dhe institucionet dhe mekanizmat e domenit ndërkombëtar si Konventa e Këshillit të Evropës për Krimin Kibernetik (Konventa e Budapestit e 23 nëntorit 2001) dhe shumë organizata ndërkombëtare dhe nisma rajonale aktive në luftimin e krimit kibernetik.

Në kuadër të këtij trajnimi u trajtuan krimi kibernetik dhe sfidat në luftimin e tij, dilemat dhe vështirësitë e të provuarit të veprave të natyrës së krimit kibernetik, ndërlidhjen e këtij krimi apo shfrytëzimi i sistemit informativ në kryerjen e veprave tjera të ndërlidhura penale.

Përfitues të trajnimit ishin gjyqtarë dhe prokurorë të nivelit themelor, të regjioneve të ndryshme të Kosovës.

Shpërndaje :