Më 05 shtator 2019, Akademia e Drejtësisë organizoj trajnimin me temë: “Mbrojtja gjyqësore në kontestet nga marrëdhënia e punës sipas Ligjit të Punës” në kuadër të PTV-së.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me kontestet nga marrëdhënia e punës sipas legjislacionit në fuqi të punës në Republikën e Kosovës.
Në pjesën e parë të trajnimit u trajtuan: Kontratat e punës dhe llojet e tyre dhe kontestet nga marrëdhënia e punës sipas ligjit të punës. Ndërsa në pjesën e dytë u trajtuan: Procedura gjyqësore për mbrojtjen e të drejtave të punës dhe respektimi i afateve për të kërkuar mbrojtje gjyqësore.
Në fillim të trajnimit u potencua se në vitet e fundit është rritur numri i kontesteve nga marrëdhënia e punës. Shkak për këtë është se legjislacioni në fuqi ka pasur mangësi dhe mbrojtja gjyqësore nuk ka qenë adekuate me ç ‘rast shpesh është cënuar e drejta e punëtorit nga marrëdhënia e punës. Si rrjedhojë, dispozitat të cilat e kanë rregulluar këtë fushë kanë qenë të shpërndara në shumë ligje dhe rregullore, të cilat janë nxjerr dhe miratuar në rrethana të ndryshme ekonomike, shoqërore dhe politike. Si rezultat i kësaj gjyqtarët kanë pasur dhe kanë vështirësi në zbatimin adekuat të këtyre ligjeve, të cilat i referohen mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve që rrjedhin nga marrëdhënia e punës.
Në vazhdim u analizua dhe u zbërthye procedura e filluar nga punëmarrësit në rastet e shkeljeve të detyrave të punës nga ana e punëdhënësve, përfshirë këtu edhe identifikimin e kushteve paraprake të cilat duhet të plotësohen nga kërkuesi para se t’i drejtohet gjykatës me padi për të siguruar mbrojtje gjyqësore në rastet kur i drejtohet gjykatës me padi.
Më tej u trajtuan edhe shkaqet e shkëputjes së kontratës së punës, llojet e vendimeve gjyqësore që merren tek kontestet e punës, dallimet në mes të kontesteve për shërbyesit civil dhe kontesteve tjera nga marrëdhënia e punës, kompetenca, afatet, mjetet juridike, respektimi i afateve për të kërkuar mbrojtje gjyqësore, më saktësisht çështja e shterimit të mjeteve të brendshme juridike për të fituar te drejtën e kërkimit të mbrojtjes gjyqësore, si dhe pasojat juridike të mos respektimit të afateve për të kërkuar mbrojtje gjyqësore sipas legjislacionit në fuqi tek kontestet e punës.
Gjithashtu u konkludua se procedura për mbrojtjen gjyqësore të të drejtave që rrjedhin nga marrëdhënia e punës është e veçantë për të cilën përveç zbatimit të rregullave të përgjithshme të procedurës kontestimore zbatohen edhe disa rregulla të veçanta që janë paraparë me nenet 474 deri në 477 të LPK-së.
Gjatë këtij trajnimi u përdoren metodat e shpjegimit të pjesshëm teorik, duke u bazuar në raste nga praktika gjyqësore duke u shoqëruar me ushtrime, diskutime interaktive, materialit të ofruar nga trajnuesit, analizës së rasteve nga praktika e pasur gjyqësore si dhe duke zbërthyer dispozitat ligjore në fuqi që rregullojnë këtë lëmi.
Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarët e gjykatave themelore dhe të Gjykatës së Apelit si dhe bashkëpunëtorët profesional të gjykatave.
05-09-2019