Më 11 shtator 2019, Akademia e Drejtësisë organizoj trajnimin me temë: “Kontrata e ndërtimit” në kuadër të PTV-së.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve në zbatimin dhe interpretimin e dispozitave kontraktuese, për zgjidhjen e kontesteve që lindin nga raporti afarist i krijuar, përmes këtyre kontratave dhe i praktikës gjyqësore në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe evropiane.
Në pjesën e parë të trajnimit u trajtuan: Kuptimi i kontratës mbi ndërtimin dhe kontratës për inxhinieringun dhe specifikat e tyre, karakteristikat e kontratës publike të ndërtimit, kushtet e përgjithshme dhe kushtet e veçanta të kontratës, klauzola “çelësi në dorë”, ndryshimet e çmimeve për shkak të ndryshimeve në treg dhe procedurat ligjore në mbrojtjen e të drejtave të palëve afariste në kontestet që rrjedhin nga mos përmbushja e këtyre kontratave.
Ndërsa në pjesën e dytë u zbërthyen mënyrat dhe kriteret e vlerësimit të elementeve specifike në rastet e pretendimeve për mos përmbushje apo kontestimin e vlefshmërisë së këtyre kontratave.
Me rastin e këtij trajnimi u theksua se kontratat mbi ndërtimin dhe kontratat për zhvillimin e projekteve ndërtimore (inxhinjeringu) aktualisht kanë gjetur përdorim shumë të madh në fushën e ndërtimit duke pasur parasysh fazën e rindërtimit të vendit. Po ashtu kontratat e ndërtimit në sektorin publik kanë një përdorim të gjerë. Shoqëritë tregtare gjatë zhvillimit të biznesit në sferën ndërkombëtare shpesh aplikojnë kontratat për të cilat zbatohet Konventa për shitje ndërkombëtare të mallrave, ndërsa në praktikën gjyqësore u potencua me tej se numri i kontesteve që rrjedhin nga këto kontrata është i konsiderueshëm, me tendencë të rritjes.
Gjatë këtij trajnimi u analizuan raste nga praktika gjyqësore dhe pati diskutime interaktive, , duke zbërthyer dispozitat ligjore në fuqi që rregullojnë këtë lëmi.
Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarët e Departamentit për Çështje Ekonomike dhe Administrative të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit si dhe gjyqtarët e departamenteve të përgjithshme – divizionet civile të gjykatave themelore.
11-09-2019