Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

18-09-2019

Kodi Penal dhe Kodi i procedurës penale

Më 17 dhe 18 shtator 2019, Akademia e Drejtësisë në kuadër të Programit për Trajnime të Vazhdueshme (PTV) me përkrahje nga OPDAT i Departamentit Ligjor të SHBA-së realizoi dy trajnime një-ditore lidhur me Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale në Republikën e Kosovës, për zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Qëllimi i këtyre trajnimeve ishte zgjerimi i njohurive të përfituesve lidhur me ndryshimet në Kodin Penal të Kosovës, si dhe ndryshimet e pritshme në Kodin e Procedurës Penale, sidomos për aspektet që ndikojnë në punën e policisë si ekzekutues të sundimit të ligjit.

Trajnimet u fokusuan në ndryshimet legjislative në KPK, veprat e reja penale që janë inkuadruar me këto ndryshime, si dhe ndikimet e të gjitha këtyre në punën e përditshme të njësive relevante të policisë dhe në bashkëpunimin në linjën polici-prokurori-avokat-gjykatë.

Me rastin e këtyre trajnimeve u trajtuan: Fillimi i procedurës penale për veprat penale kundër pasurisë; vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes; kurdisja e ndeshjes ose e sportit; keqtrajtimi i kafshëve dhe ndotja e ushqimit dhe e ujit të shtazëve; ndërtimi pa leje; rrezikimi i trafikut publik dhe ngasja në gjendje të paaftë apo të dehur.

Këshilla dhe udhëzime u dhanë edhe nga këndvështrimi i mbrojtjes lidhur me: Kualifikimet e mbrojtësit; Mbrojtësi me shpenzime publike, kur mbrojtja nuk është e detyruar; Të drejtat e të dëmtuarit ose viktimës dhe Marrja në pyetje nga policia.

Më tutje u vazhdua me: Mbledhjen e informatave dhe provave nga policia (veprimet fillestare të policisë dhe Autorizimet e policisë); Kallëzimi penal i policisë; Hedhja e kallëzimit penal; Masat e veçanta hetimore – me theks të veçantë nenet që trajtojnë autorizimet e policisë; Fillimi i procedurës penale me fazën e hetimit formal apo ngritjen e aktakuzës; Aktvendimi për fillimin e hetimit; Identifikimi i personave apo sendeve; Afati i hetimeve, Pushimi dhe Rihapja e hetimeve; si dhe Marrja në pyetje para ngritjes së aktakuzës.

Trajnimet u realizuan në formë të prezantimeve si dhe diskutimeve interaktive mes pjesëmarrësve dhe trajnuesve lidhur me situatat konkrete në punën e tyre.

Përfitues ishin kryesisht hetues dhe zyrtarë policor nga rajone të ndryshme të Policisë së Kosovës.

Shpërndaje :