Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

24-09-2019

Ceremonia e publikimit të Doracakut: Praktika e Gjykatës së Apelit e fokusuar në lëndët që kthehen në rishqyrtim

Më 24 shtator Akademia e Drejtësisë, në bashkëpunim me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) realizoj ceremoninë e publikimit të Doracakut: ”Praktika e Gjykatës së Apelit e fokusuar në lëndët të cilat kthehen në rigjykim”.

Doracaku paraqet një hulumtim të praktikës së Gjykatës së Apelit, për divizionin civil, departamentin për çështje administrative dhe departamentin për çështje ekonomike. Gjyqtarët e Gjykatës së Apelit në koordinim me Akademinë e Drejtësisë kanë bërë identifikimin e shkeljeve më të shpeshta në praktikë, duke ofruar zgjidhje përmes praktikës së Gjykatës se Apelit. Doracaku përmban edhe udhëzime adekuate për veprimet procedurale që duhet ndërmarrë, për të zvogëluar trendin e lëndëve që kthehen në rishqyrtim si dhe për të ndikuar në rritjen e efikasitetit në zgjidhjen e rasteve gjyqësore

Të pranishmëve në këtë ceremoni iu drejtuan me fjalë rasti znj. Luljetë Hetemi, U.D. i Drejtorit Ekzekutiv në Akademinë e Drejtësisë, në emër të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) znj. Znj. Marta Gazideda, Menagjer i Portfolios per Qeverisje te mirë/ zëvendës Koordinatore e Programit, kryetari i Gjykatës Supreme, z. Enver Peci, si dhe nga Këshilli Gjyqësor znj. Makifete Saliuka.

Në emër të autorëve të këtij doracaku, të pranishmëve në këtë ceremoni iu drejtuan z. Hasan Shala, kryetar i Gjykatës së Apelit, dhe z. Albert Zogaj, gjyqtarë në Gjykatën e Apelit.

Znj. Luljetë Hetemi në mes tjerash theksoi se ky botim do të shërbejë si udhërrëfyes në procesin e bërjes së drejtësisë dhe njëkohësisht si mjet dhe burim shtesë për zhvillimin profesional të gjyqtarëve.

Znj. Marta Gazideda, në fjalën e saj potencoj gatishmërinë e shtetit Norvegjez për të ofruar ndihmë për Kosovën dhe institucionet e saj dhe në këtë rast përmes projektit të UNDP edhe printimin e këtij doracaku.

znj. Makifete Saliuka, duke theksuar rëndësinë e këtij doracaku falënderoi pa përjashtim të gjithë kontribuuesit, ndërkaq kryetari i Gjykatës Supreme, z. Enver Peci në mes tjerash tha që doracaku është një vlerë që do të jetë lehtësues për gjithë gjyqtarët pa marrë parasysh nivelin dhe falënderoi Akademinë dhe UNDP duke përfshirë edhe gjyqtarët e Gjykatës së Apelit për krijimin e tij.

Në emër të autorëve të këtij botimi, z. Hasan Shala dhe z. Albert Zogaj njëzëri theksuan se ky doracak do të jetë ndihmesë veçanërisht për gjyqtarët e Gjykatave Themelore dhe zbatimi i udhëzimeve të tij do të ndikoj në zvogëlimin e lëndëve të kthyera në rigjykim. Më tej ata në fjalët e tyre shprehën falënderim të veçantë për Akademinë dhe UNDP të cilët kanë mundësuar hartimin e këtij doracaku duke shpresuar që të mos mbetet me kaq meqenëse siç u shprehën ata priten ndryshimet legjislative siç është Kodi civil dhe kjo pa diskutim që do të ketë nevojë për të pasur komentar dhe burime tjera sikurse ky doracak.

Në këtë ceremoni morën pjesë, kryetarë të gjykatave, gjyqtarë nga gjitha nivelet, veçanërisht nga divizioni civil, departamenti administrativ dhe ekonomik, përfaqësues të UNDP-së si dhe nga Akademia e Drejtësisë.
  

Shpërndaje :