Më 20 shtator 2019, Akademia e Drejtësisë organizoj trajnimin me temë: “Liria e shprehjes dhe informimit – Neni 10 i Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore (KEDNJ)”.
Qëllimi i këtij trajnimi është avancimi i njohurive të gjyqtarëve dhe prokurorëve lidhur me lirinë e shprehjes dhe informimit, në zbërthimin e nocioneve dhe kategorive që përmban neni 10 i KEDNJ si dhe mënyrën e interpretimit që bënë Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) në Strasburg
Në ditën e parë të trajnimit u trajtuan: Liria e shprehjes në kontekstin e debatit publik dhe roli i lirisë së shprehjes dhe informacioni i disponueshëm për publikun. Në ditën e dytë u trajtuan: Rëndësia e lirisë së shprehjes dhe respekti për pushtetin gjyqësor dhe detyrimet pozitive të shtetit sipas neni 10 të KEDNJ.
Në vazhdim u potencua se synimi i këtij trajnimi është trajtimi i shprehjes së lirë për të marrë dhe dhënë informacione ose ide, shpjegimi i lirisë së shprehjes në kontekstin e debatit publik, komentet e çështjeve publike nga figura publike apo nga media.
U potencua se prej zyrtarëve publikë që shërbejnë në gjyqësor mund të pritet që ata të tregojnë përmbajtje në ushtrimin e lirisë së tyre të shprehjes në të gjitha ato raste ku autoriteti dhe paanshmëria e gjyqësorit mund të vihen në pikëpyetje.
Në trajnim u potencua se jurisprudenca e GJEDNJ nën këtë tematikë dëshmon se ndonëse gjyqësori gëzon një mbrojtje të veçantë, ai nuk funksionon në vakum, dhe pyetjet lidhur me administrimin e drejtësisë mund të jenë pjesë e debatit publik.
Në parim, shpifja ndaj një gjykatësi nga shtypi ndodh gjatë debateve për keqfunksionimin e sistemit gjyqësor, ose në kontekstin e dyshimit të pavarësisë a të paanshmërisë së gjykatësve. Rastet e tilla janë të rëndësishme për publikun dhe nuk duhet të lihen jashtë debatit publik, sidomos në një vend që përjeton tranzicionin drejt një gjyqësori të pavarur dhe efektiv.
Me tej u potencua se publiku duhet të jetë në gjendje të marrë informacion në lidhje me aktivitetet e autoriteteve gjyqësore përmes mediave. Prandaj, gazetarët duhet të jenë në gjendje të raportojnë lirisht dhe të komentojnë funksionimin e sistemit të drejtësisë.
Lidhur me hyrjen në fuqi të Protokollit 16, të KEDNJ (1 gusht 2018) u potencua se ky Protokoll i mundëson gjykatave më të larta vendore dhe tribunaleve që të kërkojnë nga GJEDNJ opinione këshillimore në pyetje që kanë të bëjnë me interpretimin e Konventës. Opinionet këshillimore, të cilat do të jepen nga Dhoma e Madhe, do të përmbajnë arsyetime dhe nuk do të jenë detyruese.
Gjatë këtij trajnimi u përdoren metodat e shpjegimit teorik, duke u bazuar në raste studimore dhe nga praktika duke u shoqëruar me diskutime interaktive të lehtësuara nga trajnuesit, përmes analizës dhe shtjellimeve të tematikës, me fokus në zbatimin e standardeve dhe kërkesave që përmban neni 10 i KEDNJ si dhe përmes rasteve të përzgjedhura nga praktika e GJEDNJ.
Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarët dhe prokurorët e të gjitha niveleve në Republikën e Kosovës dhe bashkëpunëtorët profesional.
20-09-2019