Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

03-10-2019

Zgjedhja alternative e kontesteve, me theks të veçantë të ndërmjetësimit

Më 03 tetor 2019, Akademia e Drejtësisë me përkrahjen e GIZ-it organizoj trajnimin me temë: “Zgjidhja alternative e kontesteve, me theks të veçantë ndërmjetësimi - civile” në kuadër të PTV-së. Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me mënyrat e zgjidhjes alternative të kontesteve, me theks të veçantë ndërmjetësimi – aspekti civil.

Në pjesën e parë të trajnimit u trajtuan: Roli dhe përgjegjësitë e gjyqtarëve lidhur me referimin e rasteve në ndërmjetësim dhe rëndësia e përgjegjësia që ka ndërmjetësuesi në raport me palët e përfshira në kontest gjatë mbajtjes së seancës të ndërmjetësimit. Ndërsa në pjesën e dytë u trajtuan Marrëveshjet për ndërmjetësim dhe përmbarimi i marrëveshjeve të arritura në procedurën e ndërmjetësimit.

Në trajnim u theksua se aplikimi i formave alternative për zgjidhje të kontesteve, veçanërisht ndërmjetësimi është i një rëndësie të veçantë, pasi që rritë sigurinë juridike dhe mundëson tërheqjen e investimeve të huaja aq të nevojshme për zhvillimin ekonomik, sepse në botën bashkëkohore të afarizmit, bizneset dhe qytetarët, janë të interesuar për t`i zgjidhur kontestet e tyre jashtë procedurave gjyqësore.

Më tej u potencua se Republika e Kosovës në përpjekjet e saj për krijimin e një sistemi juridik bashkëkohor, ka krijuar bazën juridike e cila mundëson zgjidhjen alternative të kontesteve. Konkretisht ndërmjetësimi në Kosovë është rregulluar me Ligjin - Nr.03/L-057 (2008) e i shfuqizuar me Ligjin- Nr. 06/L-009 për Ndërmjetësim - Gz. Z. Nr.14 (2018). Ndërsa zbatimi në praktikë ka filluar në vitin 2012 kur janë licencuar ndërmjetësuesit e pare dhe janë hapur Qendrat e Ndërmjetësimit në disa qytete të Kosovës. Në aspektin ndërkombëtar ndërmjetësimi është rregulluar me Ligjin Model apo UNCITRALIN, pastaj me Direktivën 2008/52/EC, e cila direktivë i ka obliguar shtetet anëtare të BE-së që të rregullojnë me ligje të veçanta çështjen e ndërmjetësimit dhe kjo flet për rendësinë e këtij instrumenti. Gjithashtu u potencua se gjyqtarët e Kosovës duhet të njohin rregullat e reja kombëtare dhe ndërkombëtare për ndërmjetësim, përparësitë që ka, pasojat ligjore të tij, pastaj rolin e tyre në referimin e rasteve në qendrat e ndërmjetësimit dhe pozitën e ndërmjetësuesve.

Në vazhdim u theksua se numri i madh i mosmarrëveshjeve, ka ndikuar që zgjidhja e tyre përmes rrugës gjyqësore të vështirësohet, dhe të marr kohë, krejt kjo qoftë për shkak të pamundësisë së gjykatave ta përballojnë fluksin e madh të këtyre lëndëve si dhe për shkak të mungesës kadrovike e disa faktorëve të tjerë. Në vazhdimësi është hulumtuar që të gjenden zgjidhje efikase për mosmarrëveshjet në mes të palëve të ndryshme dhe njëra nga këto alternativa është ndërmjetësimi që tani njihet në botën demokratike dhe zbatohet në pjesën dërmuese të shteteve.

Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarët e Gjykatave Themelore - Departamentit të Përgjithshëm - Divizionet Civile, bashkëpunëtorët profesional dhe ndërmjetësuesit.

Shpërndaje :