Më 17 tetor 2019, Akademia e Drejtësisë organizoj trajnimin me temë: “Mjetet e rregullta dhe të jashtëzakonshme sipas LPK-së” në kuadër të PTV-së.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me procedurën e paraqitjes së mjeteve juridike të rregullta dhe të jashtëzakonshme nga ana e palëve të autorizuara, si dhe vendosjen e gjykatave të instancave më të larta rreth këtyre mjeteve.
Në pjesën e parë të trajnimit u trajtuan: Procedura e vendosjes me ankesë, procedura e vendosjes sipas revizionit dhe procedura e vendosjes sipas propozimit për përsëritje të procedurës. Në pjesën e dytë u trajtuan: Raporti në mes revizionit dhe propozimit për përsëritjen e procedurës dhe Kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë dhe procedura e vendosjes.
Në fillim të trajnimit u potencua se me rastin e vendimmarrjes nga ana e gjykatave të instancës më të ulët, jo rrallë ndodhë që të bëhen gabime në aspektin formal dhe material, të cilat mund të kenë ndikim në garantimin e ligjshëm të të drejtave të palëve në procedurën kontestimore. Andaj, përmes shfrytëzimit të mjeteve të rregullta dhe të jashtëzakonshme juridike, palët mund t’i atakojnë këto vendime dhe të kërkojnë respektimin e kërkesave dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre në këtë procedurë.
Duke analizuar të drejtën e goditjes së vendimeve u potencua se ajo është një e drejtë elementare e cila garantohet edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës por edhe me Ligjin për Procedurën Kontestimore. E drejta në ankesë ndaj një vendimi gjyqësor është edhe standard i së drejtës ndërkombëtare të drejtave të njeriut, e jo thjeshtë vetëm një e drejtë që buron nga legjislacioni i brendshëm i një shteti.
Në vazhdim u theksua se përmes mjeteve juridike të goditjes garantohet zbatimi i parimit që çdo çështje të shqyrtohet të paktën në dy instanca gjyqësore dhe shqyrtimi në instancën e shkallës së dytë bëhet përmes ushtrimit të mjetit të goditjes-ankesës. Sa i përket gjerësisë së rishikimit që duhet të bëhet nga gjykata më e lartë, është standard themelor që rishikimi gjyqësor nga një gjykatë më e lartë të përfshijë si kontrollin e të drejtave procedurale ashtu edhe kontrollin e meritës së rastit, duke mundësuar që një gjykatë më e lartë të bëjë rishikimin si formal ashtu edhe substancial të rastit të gjykuar në shkallë të parë.
Më tej u zbërthyen çështjet dhe pyetjet se: Çka duhet të përmbajnë mjetet e rregullta dhe të jashtëzakonshme juridike? Cilat janë shkaqet më të shpeshta për paraqitjen e tyre? Cila është procedura e pranimit dhe shqyrtimit të këtyre mjeteve? dhe cilat janë vendimet që mund t’i nxjerrin gjykatat, lidhur me mjetet e rregullta dhe të jashtëzakonshme juridike?
Gjatë këtij trajnimi u përdoren metodat e shpjegimit të pjesshëm teorik, duke u bazuar në raste nga praktika gjyqësore duke u shoqëruar me ushtrime, diskutime interaktive, materialit të ofruar nga trajnuesit, analizës së rasteve nga praktika e pasur gjyqësore duke zbërthyer dispozitat ligjore në fuqi që rregullojnë këtë lëmi si dhe duke sqaruar paqartësitë e përmendura më lartë.
Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarët e gjykatave themelore, të Gjykatës së Apelit (Divizioni Civil) dhe bashkëpunëtorët profesional.
17-10-2019