Më 22-23 tetor 2019, Akademia e Drejtësisë organizoj trajnimin me temë: “Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve pa kujdes prindëror” në kuadër të PTV-së.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve në tematikën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve pa kujdes prindëror.
Në pjesën e parë të trajnimit u trajtuan: Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve pa kujdes prindëror, adoptimi, dhe vendosja e fëmijës në familjen tjetër. Ndërsa në pjesën e dytë u trajtuan: Kujdestaria; ushtrimi, pezullimi, kufizimi, heqja dhe vazhdimi i të drejtës prindërore dhe mënyrat e komunikimit të gjykatës me fëmijët në procedurë gjyqësore.
Në trajnim u theksua se Republika e Kosovës është një nga shtetet e cila është e angazhuar seriozisht në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve. Meqenëse mbrojtja juridike e familjes në përgjithësi, e posaçërisht e fëmijëve në veçanti ka rëndësi të veçantë, edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës përmban dispozita të cilat i referohen sferës familjare, përmes të cilave e rendit shtetin tonë në grupin e vendeve me rregullativën juridike familjare të harmonizuar me legjislacionin ndërkombëtar. Në Kushtetutë është përfshirë edhe Konventa për të Drejtat e Fëmijës e cila zbatohet drejtpërdrejtë dhe ka prioritet.
Në këtë trajnim ndër të tjera u trajtuan edhe çështjet rreth mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve pa kujdes prindëror, si dhe format e mbrojtjes së veçantë të këtyre fëmijëve (adoptimi, kujdestaria, etj.), të cilat janë të normuara me Ligjin për Familjen, duke pasur si referencë Konventën për të Drejtat e Fëmijës. Gjithashtu diskutimet u përqëndruan rreth mënyrës dhe metodave të komunikimit të gjykatës me fëmijët në procedurë gjyqësore, rreth parimit të interesit më të lartë të fëmijës, rolit të gjykatës dhe organit të kujdestarisë në procedurat që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve pa kujdes prindëror, si dhe legjislacionit të zbatueshëm vendor dhe atij ndërkombëtarë.
Në vazhdim u potencua se parimi i interesit më të lartë të fëmijës mbështetet në Konventën për të drejtat e fëmijës e cila normon se: “Në të gjitha vendimet që kanë të bëjnë me fëmijën, të marra qoftë nga institucione publike ose private të përkrahjes shoqërore, nga gjykatat, autoritetet administrative apo organet legjislative, interesi më i lartë i fëmijës duhet të jetë konsiderata mbizotëruese”. Ky parim është inkorporuar edhe në legjislacionin vendor dhe atë në Ligjin për Familjen dhe në Ligjit për Shërbime Sociale dhe Familjare.
Gjatë këtij trajnimi u përdoren metodat e shpjegimit të pjesshëm teorik, duke u bazuar në raste nga praktika gjyqësore duke u shoqëruar me ushtrime, diskutime interaktive, materialit të ofruar nga trajnuesit, analizës së rasteve studimore si dhe duke zbërthyer standardet ndërkombëtare dhe vendimet e GJEDNJ dhe kërkesat e dispozitave ligjore në fuqi që rregullojnë këtë lëmi.
Përfitues në këtë trajnim ishin: gjyqtarët e Gjykatës së Apelit, gjykatave themelore-Departamentit të Përgjithshëm-Divizionet Civile, bashkëpunëtorët profesional dhe zyrtarët e Organit të Kujdestarisë.
23-10-2019