Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

30-11-2019

Pronësia Intelektuale në Aspektin Civil dhe Penal

Më 29-30 nëntor 2019, Akademia e Drejtësisë në bashkëpunim dhe me ndihmën e Projektit të GIZ-it- “Përkrahje e Procesit të Integrimit Evropian” organizoj trajnimin me temë: “Pronësia Intelektuale në aspektin Civil dhe Penal”. Ky trajnim kishte për qëllim avancimin e njohurive të gjyqtarëve dhe prokurorëve të Kosovës në lëmin e sistemit të të drejtave të pronësisë intelektuale (pronësisë industriale dhe të drejtave të autorit) në Republikën e Kosovës.

Në ditën e parë të trajnimit u trajtuan: Sistemi i të drejtave të pronësisë intelektuale në Republikën e Kosovës; Të drejtat e pronësinë industriale me theks të veçantë markat tregtare – regjistrimi dhe fitimi i të drejtave, legjislacioni dhe perspektiva e BE-së; Markat tregtare sipas legjislacionit të Republikës së Kosovës; Masat e përkohshme në procedurën civile dhe mjetet juridike për mbrojtjen e të drejtave të autorit, si dhe Raste gjyqësore të Gjykatës së Drejtësisë së BE-së në procedurë të regjistrimit të markave tregtare dhe lidhur me shkeljen e të drejtave që burojnë nga ato (fusha administrative dhe civile).

Në ditën e dytë u trajtuan: Përgjegjësia penale për shkeljen e të drejtave të pronësisë industriale-të drejtave të autorit në vendet e BE-së për shkeljen e të drejtave të autorit dhe legjislacioni i Republikës së Kosovës; Shkeljet në internet dhe të drejtat e pronësisë industriale si dhe shkeljet online dhe të drejtat e autorit si dhe raste nga praktika gjyqësore.

Që në fillim u theksua se mbrojtja e markave tregtare në Republikën e Kosovës garantohet me Ligjin për Markat Tregtare, Kodin Penal si dhe me masat tjera administrative duke përfshirë ato doganore, megjithatë në praktikën juridike hasen vështirësi të shumta në zbatimin e dispozitave ligjore dhe ofrimin e mbrojtjes efektive. Më tej u potencua se në praktikën gjyqësore numri i kontesteve që rrjedhin nga markat tregtare është i konsiderueshëm, me tendencë të rritjes, andaj fokusi në këtë tematikë ishte me dobi për avancimin e njohurive të gjyqtarëve dhe prokurorëve në këtë lëmi. Sipas standardeve ndërkombëtare të përcaktuara veçmas me Marrëveshjen TRIPS dhe direktivat e BE-së, shtetet duhet të sigurojnë mjete juridike të lehta, efektive dhe jo të kushtueshme në mënyrë që bartësit të mos hezitojnë të e kërkojnë mbrojtjen e të drejtave të tyre pranë gjyqësorit.

Lidhur me të drejtat e autorit u theksua se në bazë të Konventës së Bernës, një ndër konventat kryesore ndërkombëtare për të drejtën e autorit, vepër e autorit, konsiderohet vepra letrare dhe artistike, që përfshin çdo prodhim të domenit shkencor, letrar dhe artistik, në çfarëdo forme të shprehjes. Ky përkufizim, i lejon hapësirë manovruese shteteve anëtare të Konventës, lidhur me përcaktimin se cilat janë veprat e mbrojtura, dhe kushtet të cilat duhet një vepër ti plotësoj për të gëzuar mbrojtje. Në bazë të legjislacionit tonë, veprat e autorit janë krijimet intelektuale origjinale në lëmin e letërsisë, të shkencës dhe artit dhe që janë të shprehura në çfarë do mënyre.

Gjatë këtij trajnimi u përdoren metodat e shpjegimit të pjesshëm teorik, raste nga praktika gjyqësore, ushtrime, diskutime interaktive, materialit të ofruar nga trajnuesit, analizës së rasteve dhe standardeve ndërkombëtare dhe evropiane në këtë lëmi. E tërë kjo u shoqërua me paraqitje të rasteve nga praktika e GJDBE-së dhe rasteve praktike gjyqësore në vendin tonë.

Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarët nga Departamenti për çështje ekonomike i Gjykatës së Apelit dhe i Gjykatës Themelore në Prishtinë si dhe gjyqtarët e prokurorët nga lëmia penale të cilët i vendosin lëndët e natyrës së krimit financiar me theks markat tregtare dhe çështjet e të drejtës së autorit.

Shpërndaje :