Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

12-12-2019

E drejta për jetë private, jetë familjare, të vendbanimit dhe korrespodencës, për tu martuar dhe krijuar familje dhe për barazi të bashkëshortëve - Neni 8 i KEDNJ

Më 12 dhjetor 2019, Akademia e Drejtësisë organizoj trajnimin me temë: “E drejta për jetë private, jetë familjare, të vendbanimit dhe korrespodencës, për tu martuar dhe krijuar familje dhe për barazi  të bashkëshortëve - Neni 8 i KEDNJ” në kuadër të PTV-së. Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me zbatimin e drejtë  të dispozitave të nenit 8 të KEDNJ.

Në pjesën e parë të trajnimit u trajtuan nocioni dhe natyra juridike e jetës private dhe kuptimi e natyra juridike e jetës familjare. Ndërsa në pjesën e dytë u trajtuan privatësia, korrespodenca, vendbanimi-përgjimi dhe mbledhja e të dhënave dhe ndërhyrja e autoritetit publik në ushtrimin e kësaj të drejte në shkallën e parashikuar me ligj.

Që në fillim u potencua se interpretimi i gjerë që i jep Gjykata nocionit të jetës private sipas Nenit 8 të Konventës përfshinë element të tillë si identifikimi gjinor, emri, orientimi seksual dhe jeta seksuale. Neni mbron gjithashtu të drejtën për identitet dhe zhvillim personal dhe të drejtën për të krijuar dhe zhvilluar marrëdhëniet me persona të tjerë dhe me botën e jashtme, duke përfshirë aktivitete të një natyre profesionale apo biznesi që mund të krijohen në kontekstin publik. E drejta private është e lidhur ngushtë me nocionin e integritetit personal. Çdo lloj ndërhyrjeje në integritetin fizik të një personi duhet të parashikohet me ligj dhe kërkon miratimin nga ai person.

Gjithashtu u potencua se koncepti i jetës së familjes është zhvilluar në mënyrë të ngadaltë gjatë jetëgjatësisë së Konventës dhe vazhdon të zhvillohet duke marrë parasysh ndryshimet sociale dhe ligjore. Gjykata, ashtu si për konceptin e jetës private, mban të njëjtin qëndrim të ekuilibruar në interpretimin e jetës së familjes duke pasur parasysh diversitetin e problemeve të familjes moderne, çështjet e divorcit dhe përparimet në mjekësi. Në bazë të renditjes së fjalëve në këtë nen jeta e familjes është pozicionuar direkt në përkatësinë e sferës private ku ka të drejtën për të vepruar pa ndërhyrjen arbitrare të shtetit.

Duke trajtuar ndërhyrjen ”në përputhje me ligjin” u theksua se: “Që një ndërhyrje të jetë e justifikuar, ajo duhet të jetë në përputhje me ligjin, që paraqet masë mbrojtje kundër arbitraritetit”. Ndërsa lidhur me lirinë e vlerësimit  u potencua se është i qartë fakti se Gjykata i jep Shtetit liri vlerësimi kur merr vendime nëse një ndërhyrje me një të drejtë të Nenit 8 justifikohet sipas paragrafit 2, të kësaj dispozite. Liria e vlerësimit që i jepet autoriteteve kompetente vendase do të variojë në bazë të rrethanave, subjektit të çështjes dhe historikut të saj. Ajo ka identifikuar tashmë se faktorët që duhen marrë parasysh në përcaktimin e qëllimit të lirisë së vlerësimit në këtë fushë përfshijnë ekzistencën e arsyeve të përbashkëta ndërmjet ligjeve të shteteve kontraktuese; ndjeshmërinë e fushës që merret në konsideratë dhe ndryshueshmërinë në zakonet, politikat dhe praktikat midis shteteve kontraktuese.         

Në këtë trajnim u përdoren metodat e shpjegimit të pjesshëm teorik, duke u bazuar në raste nga praktika gjyqësore e GJEDNJ duke u shoqëruar me diskutime interaktive, përmes materialit të ofruar nga trajnuesit, analizës së rasteve studimore, u zbërthyen dhe u sqaruan dispozitat e nenit 8 te KEDNJ dhe ligjeve tjera në fuqi që rregullojnë këtë tematikë.

Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarët dhe prokurorët e të gjitha niveleve në Republikën e Kosovës dhe bashkëpunëtorët profesional.

Shpërndaje :