Takimi i Këshillit Drejtues të Akademisë së Drejtësisë
Më 30 mars 2022, në Akademinë e Drejtësisë është mbajtur takimi i radhës i Këshillit Drejtues të Akademisë së Drejtësisë i udhëhequr nga Kryesuesi i Këshillit z. Vaton Durguti, Udhëheqës i Departamentit Special në Gjykatën e Apelit.
Në këtë takim, Anëtarët e Këshillit Drejtues shqyrtuan draft-Programin Fillestar për prokurorët gjenerata e nëntë 2022/2023, të cilët janë në proces të rekrutimit nga ana e Këshillit Prokurorial të Kosovës, si dhe listën e moduleve nga Programi Trajnues për Gjyqtarët e sapo emëruar, gjenerata e tetë. Këshilli Drejtues vlerësoi se draft-Programi për Trajnimin Fillestar për prokurorët gjenerata e nëntë, plotëson të gjitha kriteret e një programi të mirëfilltë, është mjaft profesional dhe të njëjtin e miratuan unanimisht së bashku me listën e moduleve nga Programi Trajnues për Gjyqtarët e sapo emëruar, duke përfshirë edhe rekomandimet e Këshillit Programor.
Drejtori Ekzekutiv i Akademisë, gjithashtu prezantoi në pika të shkurta edhe Raportin Vjetor të Punës për vitin 2021, i cili përmban të gjitha aktivitetet që ka realizuar Akademia gjatë vitit 2021. Anëtarët e Këshillit Drejtues, duke vlerësuar punën e Akademisë gjatë vitit 2021, e miratuan në mënyrë unanime raportin e prezantuar.
Në këtë takim të Këshillit Drejtues të AD-së, u miratua edhe lista e trajnuesve të certifikuar në fushën e Drejtësisë Komerciale, për t’u përfshirë të njëjtit si trajnues të përkohshëm në Akademinë e Drejtësisë.
Postuar më: 30-03-2022